Komandanti Suprem i Aleancës së NATO-s për Evropë, Tod Wolters në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur për marrëdhëniet e NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor, raportin me Serbinë dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Wolters tha se NATO-ja po shqyrton angazhimin e saj në FSK pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri, ndërkohë që bëri thirrje për rifillim të dialogut mes Kosovës e Serbisë pasi sipas tij, dialogu është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme politike.
Radio Evropa e Lirë: Ju jeni emëruar në muajin maj të këtij viti Komandanti Suprem i Aleancës së NATO-s në Evropë. Cilat do të jenë aktivitetet kyçe në periudhën e ardhshme? Çfarë konsideroni prioritet të lartë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor?
Tod Wolters: Një nga prioritetet e mia kryesore është zbatimi i strategjisë ushtarake të NATO-s të vitit 2019, e cila jep një vlerësim të përditësuar të gjendjes së sotme të sigurisë dhe shtrirjen e mbështetjes për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprimin e forcave ushtarake në Aleancën. Unë inkurajoj të gjithë ushtarakët në Ballkanin Perëndimor që të komunikojnë hapur me njëri-tjetrin dhe që të marrin pjesë në stërvitjet me aleatët e NATO-s, gjë që përmirëson gatishmërinë dhe na lejon të gjithëve të mësojmë nga njëri-tjetri.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë e konsideroni gjënë më sfiduese në të ardhmen kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor?
Tod Wolters: Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi për NATO-n dhe të gjitha kombet luajnë një rol të rëndësishëm në këtë.
NATO ka një histori të fuqishme në projektimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Forcat e NATO-s kanë mbajtur paqen në Kosovë që nga viti 1999. Ne kemi ndihmuar Kosovën të krijojë Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s.
Në Bosnje dhe Herzegovinë, selia e NATO-s në Sarajevë po mbështet reformën e mbrojtjes për më shumë se një dekadë. Ne gjithashtu kemi një zyrë në Shkup për të mbështetur reformën e mbrojtjes dhe kemi një zyrë në Beograd për të promovuar bashkëpunimin praktik me NATO-n.
Pavarësisht nëse duan që t’i bashkohen NATO-s, ne jemi të vendosur të ndihmojmë vendet e rajonit për të zbatuar reforma të rëndësishme për të mirën e të gjitha komuniteteve.
Radio Evropa e Lirë: Më 17 korrik keni pasur një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç gjatë vizitës zyrtare në Beograd. Cilat ishin temat kryesore për të cilat biseduat dhe cilat janë përfundimet kryesore?
Tod Wolters: Qëllimi i kësaj vizite ishte takimi me liderët serbë, forcimi i komunikimit dhe shqyrtimi i mundësive për të rritur bashkëpunimin NATO-Serbi nëpërmjet mbështetjes së reformave ushtarake serbe duke respektuar plotësisht neutralitetin ushtarak të Serbisë. Ky bashkëpunim siguron që forcat tona të jenë të gatshme dhe të shkathët për t'u përballur me mjedisin e sotëm kompleks të sigurisë.
Forcat e Armatosura Serbe gëzojnë konsideratë të lartë në misionet paqeruajtëse anembanë botës. Personeli juaj ushtarak demonstron qëndrueshmëri, ndjenjë detyre dhe vendosmëri për të përmbushur misionin.
Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi për NATO-n dhe Serbia luan një rol të rëndësishëm në këtë.
NATO e respekton plotësisht Serbinë dhe vendimin e saj për të mbajtur neutralitetin ushtarak. Është vendimi i Serbisë për të përcaktuar llojin e marrëdhënieve që dëshiron të ketë me NATO-n. Së bashku me Serbinë po punojmë për çështje praktike, siç është shkatërrimi i municioneve të vjetra dhe të rrezikshme dhe përgatitja civile në trajtimin e emergjencave natyrore. Gjithashtu, Serbia po ndihmon NATO-n në disa aktivitete, siç është trajnimi mjekësor i personelit ushtarak ushtarak irakian.
Partneriteti ynë është i mirë për Serbinë, i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe i mirë për NATO-n. Bashkëpunimi i përbashkët garanton siguri në Ballkan dhe në kontekst më të gjerë ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë: Si mendoni, në cilin aspekt do të mund të përmirësohej bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe Serbisë?
Tod Wolters: Para së gjithash, më lejoni të falënderoj Forcat e Armatosura Serbe për ndihmën e tyre në përpjekjet paqeruajtëse në mbarë botën. Forcat e Armatosura Serbe janë një shembull se si Serbia kontribuon në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes përkushtimit dhe profesionalizmit.
Forcat e Armatosura Serbe mbahen në konsideratë të lartë në misionet paqeruajtëse anembanë botës. Personeli juaj ushtarak demonstron elasticitet, ndjenjë detyre dhe vendosmëri për të përmbushur misionin.
Serbia është e njohur dhe shumë e respektuar në fushën e mjekësisë ushtarake dhe ka punuar me NATO-n për të trajnuar mjekët ushtarakë të Irakut, duke ndihmuar në arritjen e stabilitet në Lindje të Mesme.
Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet NATO-Serbi në sferën praktike, ne jemi duke pasur sukses. Si një vend partner, Serbia ka një nivel të lartë bashkëpunimi me NATO-n, dhe NATO respekton plotësisht politikën e Serbisë për neutralitetin ushtarak.
Bashkëpunimi NATO-Serbi varion nga reformimi i strukturave të sigurisë kombëtare dhe lehtësimi i fatkeqësive në bashkëpunimin shkencor dhe ushtrime të përbashkëta. Varet nga Serbia që të zgjedhë rrugën e saj për të zgjeruar bashkëpunimin me NATO-n në kuadër të Planit të Veprimit për Partneritet Individual. Besimi dhe respekti i ndërsjellë është thelbi këtu.
Radio Evropa e Lirë: Si presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, deklaruan se e shohin Ushtrinë e Kosovës si "kërcënimi më i madh për Ballkanin". A e sheh NATO-ja ushtrinë shumëetnike të Kosovës si kërcënimin më të madh për stabilitetin rajonal?
Tod Wolters: Siguria e të gjithë njerëzve në Kosovë është me rëndësi të madhe për ne. NATO është e pranishme në Kosovë përmes misionit tonë, KFOR-it, nën një mandat të qartë ndërkombëtar të OKB-së. Ne jemi atje për të krijuar stabilitet, paqe dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të qetë paqësor për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, pas vendimit për kalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ne tani po shqyrtojmë nivelin e angazhimit të NATO-s në FSK. Ndërkohë, mandati ynë nuk ka ndryshuar dhe ne do të vazhdojmë misionin tonë paqeruajtës.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë qëndrimet e NATO-s mbi Ushtrinë e Kosovës? A do të bashkëpunojë NATO-ja dhe në çfarë mënyre me Ushtrinë e Kosovës?
Tod Wolters: Misioni ynë i KFOR-it ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për 20 vitet e fundit dhe misioni ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne jemi atje për të mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe kjo është ajo që po bëjmë.
Në të njëjtën kohë, pas vendimit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, tani po shqyrtojmë nivelin e angazhimit të NATO-s në FSK. Ndërkohë, mandati ynë nuk ka ndryshuar dhe ne do të vazhdojmë misionin tonë paqeruajtës.
NATO mbështet plotësisht rifillimin e dialogut të sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin.
Radio Evropa e Lirë: A është NATO e shqetësuar lidhur me institucionet e sundimit të ligjit në luftën kundër krimit, kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës që është i populluar me shumicë serbe?
Tod Wolters: NATO është një aleancë ushtarake politike e ndërtuar mbi vlerat thelbësore. Siguria e të gjithë njerëzve në Kosovë është me rëndësi të madhe për ne. NATO është e pranishme për të krijuar stabilitet, paqe dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të qetë paqësor për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Si do të komentonit bashkëpunimin ushtarak midis Serbisë dhe Rusisë sa i takon blerjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake?
Tod Wolters: NATO respekton plotësisht të drejtën e Serbisë për të marrë vendimet e veta dhe presim që të thellojmë partneritetin tonë të fortë. NATO tashmë ka marrëdhënie të forta me partnerët pa qenë anëtarë, përfshirë Austrinë, Irlandën, Finlandën dhe Suedinë (vetëm sa për të përmendur disa).
NATO respekton plotësisht të drejtën e Serbisë për të zgjedhur marrëveshjet e veta politike dhe të sigurisë. Serbia po jep kontribute të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare që janë çelësi për një rajon të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.
Sa i përket blerjes së pajisjeve ushtarake, kombi duhet të vendosë se çfarë pajisje ushtarake duhet që të blejnë ata. Ndërveprimi i forcave tona të armatosura është thelbësor për NATO-n për kryerjen e operacioneve dhe misioneve tona dhe ne inkurajojmë partnerët që të blejnë pajisje që janë në përputhje me aleatët dhe partnerët.