Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, Wagner, i cili nisi, por më pas e ndaloi rebelimin kundër ushtrisë ruse, mund të kërkojë terrene rekrutimi jashtë Rusisë ose Bjellorusisë, dhe Ballkani Perëndimor është një prej opsioneve, thotë Anna Matveeva, eksperte në institutin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, RUSI, me seli në Londër.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo flet për rrethanat që çuan në rebelimin e Prigozhinit.
Radio Evropa e Lirë: A mund të parashikoni se çfarë ndikimi dhe pasojash do të kenë zhvillimet e së shtunës në Rusi, në rrjedhën e luftës në Ukrainë? A do ta ndryshojnë ato ndjeshëm rrjedhën e pushtimit rus të Ukrainës?
Anna Matveeva: Mendoj se këto ngjarje nuk do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet e tjera në fushëbetejën në Ukrainë. Meqenëse tani shohim se kriza ka zgjatur pak, trupat ruse - pjesa më e madhe e tyre - nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre.
Ukraina ka intensifikuar disa operacione taktike rreth Bahmutit, por ndoshta do ta kishte bërë këtë edhe pa këto ngjarje. Aty ka pasur luftë, gjithsesi. Është fakt që disa avionë rusë kanë goditur forcat e Wagnerit, derisa janë rebeluar, por të gjitha këto janë çështje taktike.
Natyrisht, presidenti [i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky ka thënë se [presidenti rus, Vladimir] Putin tani është i dobësuar dhe në kaos të plotë. Por, kjo nuk do të thotë se i jep Ukrainës ndonjë lloj avantazhi të njëanshëm.
Nëse do të kishte një krizë të gjatë, nëse do të kishim parë vërtet tërheqjen e plotë të trupave të Wagnerit nga Ukraina, atëherë një gjë e tillë do të mund të kishte ndikim.Por, tani për tani, unë mendoj se është më shumë një çështje politike dhe e brendshme, sesa do të ndikojë në luftimet aktuale në Ukrainë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni se pse Prigozhin vendosi të ndërmarrë hapa të tillë? A ka ndonjë kontekst jashtë asaj që dihet deri tani, se ai është i pakënaqur me mbështetjen e Rusisë për forcat e tij? Dhe, pse ka ndryshuar mendje?
Anna Matveeva: Po, sigurisht që ka disa shpjegime. Në njërën anë ka një konflikt midis Prigozhinit - themeluesit të Wagnerit - forcave të tij dhe ministrit rus të Mbrojtjes.
Kjo ka filluar me sulmin e Prigozhinit ndaj ministrit të Mbrojtjes, ose me mosdorëzimin e armëve, municioneve dhe plumbave për luftëtarët e tij. Ministri i Mbrojtjes është përgjigjur duke u përpjekur ta përfshijë forcën Wagner në një forcë nën komandën e përgjithshme të tij, duke e detyruar të nënshkruajë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, në vend që të mbetet forcë e pavarur.
Wagneri ka refuzuar, duke deklaruar se Ministria [e Mbrojtjes e Rusisë] është e paaftë, joprofesionale, jopatriotike dhe se ai nuk do që t’i përgjigjet një organizate të tillë.
Faza tjetër e përshkallëzimit ka qenë kur Ministria e Mbrojtjes ka nisur një aksion kundër Wagnerit. Wagner është përgjigjur: epo mirë, tash jemi shtyrë në një cep, nuk mund t’i nënshtrohemi këtij presioni. Dhe ka vendosur që gjëja e vetme që mund të bëjë, është të marshojë drejt Moskës.
Pra, në këtë aspekt, është një konflikt midis forcave ushtarake dhe kulturave dhe qëndrimeve ushtarake. Dhe, sigurisht, të dyja palët kanë disa avantazhe.
Pastaj, ka edhe një anë më të madhe politike të kësaj. Prigozhin po përpiqet të imponojë një lloj krize politike në Rusi, duke menduar se do të përfitojë prej saj, kur epoka e Putinit të ndalet, të marrë fund. Atëherë, ai do të ishte një nga shtytësit dhe shkundësit e rëndësishëm të strukturës së re në vend.
Pra, në këtë kuptim, ai ka aleatë, ne mund të spekulojmë se kush janë ata, me siguri. Dhe, sigurisht, e gjithë kjo e ka detyruar presidentin Putin të negociojë, në vend që të përpiqet ta thyejë Wagnerin me forcë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Prigozhin do të përfitojë vërtet nga kjo? Si e shihni rezultatin e kësaj situate?
Anna Matveeva: Ai po transferohet në Bjellorusi, por kjo nuk do të thotë se do të qëndrojë atje përgjithmonë. Nga ajo që shoh, nga ajo që mund të dëgjoj dhe kuptoj nga sinjalet që vijnë nga Rusia, ai përfundimisht do të lejohet të shkojë me disa nga luftëtarët e tij në Afrikë, ku ka qenë i vendosur para luftës në Ukrainë.
Disa nga luftëtarët e tij me siguri do të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes, të tjerët do të zhvendosen me të në Afrikë dhe ai do të jetë atje për një kohë, para se të hapet një kapitull tjetër i jetës politike ruse. Nuk e dimë se kur do të ndodhë kjo, por do të ndodhë dikur.
Radio Evropa e Lirë: Për sa luftëtarë po flasim, a ka ndonjë indikacion për këtë? Sa prej tyre do të qëndrojnë në Rusi, me Qeverinë ruse, dhe sa prej tyre do t’i mbeten besnikë Prigozhinit?
Anna Matveeva: Nuk kemi asnjë indikacion për këtë. Së pari, ne nuk e dimë se sa luftëtarë ka Wagneri. Sepse, ka shifra që variojnë nga 25.000 deri në 50.000. A janë ata të gjithë luftëtarë aktivë? A janë në detyrë vetëm disa nga forcat totale? Ajo që është më e rëndësishme, nuk është sasia, por cilësia. Luftëtarët e Wagnerit qëndrojnë më mirë, më të pajisur, më të trajnuar, shumë të motivuar.
Ata, gjithashtu, udhëhiqen më mirë nga oficerë dhe komandantë të rinj. Prandaj, mbështeten më shumë në improvizimin e iniciativës. Pra, cilësia e forcave këtu është disi më e lartë se e forcave të rregullta ose e Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes ruse.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë e gjithë kjo për Putinin, fuqinë dhe kontrollin e tij? Sa ndryshe është situata tani?
Anna Matveeva: Sigurisht që nuk duket aq e mirë, duke pasur parasysh se Putini e ka projektuar imazhin e tij si kryesori. Ai e ka përsëritur këtë, duke iu drejtuar kombit gjatë kohës sa ka zgjatur rebelimi. Në njëfarë mase ka dashur të tregojë se merr përgjegjësitë, ka dashur t’i bindë njerëzit se nuk është në gjendje të keqe shëndetësore dhe i paaftë për të marrë vendime.
Por, vetë fakti që rebelimi ka zgjatur, që trupat e Wagnerit kanë hyrë pa pengesa nga Ukraina, pak a shumë 200 kilometra larg Moskës... Kjo nuk duket gjë e mirë, liderët e mëdhenj nuk lejojnë që situata të përshkallëzohet në atë nivel.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Wagneri do të duhet ta ndryshojë strukturën e tij? Si do të ndikojë në grup kjo që ka ndodhur? Sidomos nëse flasim për rekrutimin e luftëtarëve. Po ju pyes kështu edhe për faktin se dihet mirë se Ballkani Perëndimor - në radhë të parë Serbia - ka qenë vendi prej nga njerëzit i janë bashkuar Wagnerit, por sigurisht edhe ushtrisë ruse. Serbë nga Bosnje dhe Hercegovina, në disa raste, janë vënë gjithashtu në kontakt me forcat ruse dhe me paraushtarakët e Wagnerit. A do të ndikojë rebelimi i ndalur tek ata që mendojnë për Wagnerin?
Anna Matveeva: Nëse u ofrohen kushte të mira atyre që mendojnë - pse jo? Prigozhini ka të ngjarë ta rrisë rekrutimin jashtë Rusisë. Kjo duket mjaft logjike. Shumë nga zyrat e Wagnerit në Rusi tani janë mbyllur. Mund të jetë e përkohshme, por kjo është ajo që është.
Nga ana tjetër, ai do t’i rifillojë operacionet në Afrikë, do të ofrojë kushte fitimprurëse... Atëherë, shtrohet pyetja: pse jo?
Mendoj se është shumë e mundur që ai ta vendosë sërish theksin te rekrutimi jashtë Rusisë, e kjo do të thotë edhe në Ballkanin Perëndimor. Ky është një nga opsionet që duhet marrë në konsideratë, veçanërisht nëse e dimë se Wagneri ka rekrutuar në Serbi që nga viti 2014. Ne e dimë se luftëtarët serbë të Wagnerit kanë qenë në Siri në atë kohë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se sanksionet kundër Wagnerit mund të ndryshojnë ndonjë gjë? Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do t’i shtyjnë sanksionet e reja kundër grupit paraushtarak rus, pasi themeluesi dhe udhëheqësi i tij ka nisur kryengritjen kundër Kremlinit, nga frika se sanksionet mund ta ndihmojnë pa dashje presidentin Vladimir Putin.
Anna Matveeva: Nuk mendoj se sanksionet për Wagnerin kanë rëndësi në një mënyrë apo tjetër. Wagneri tashmë ka një reputacion, vërtet, famëkeq. Ai kurrë nuk blen drejtpërdrejt armë nga Perëndimi. Pra, [sanksionet] janë kryesisht simbolike. Nuk mendoj se kanë shkaktuar ndonjë ndryshim material.