Teksa kanë mbajtur shtetin e tyre të pastër nga koronavirusi i ri deri më tani, zyrtarët në Serbi duket se janë më të fokusuar në luftimin e “infodemisë”, që ka të bëjë me deklaratat e zyrtarëve shëndetësorë në botë, të cilët paralajmërojnë përkeqësim të situatës me këtë virus.
Për disa ditë, një javë më parë, presidenti i Serbisë dhe ministri i Jashtëm kanë folur për një teori konspirative, duke thënë se virusi që ka lënë të vdekur mijëra persona në gjithë botën dhe ka infektuar gati 91,000 të tjerë, është pjesë e “luftës” ekonomike ndaj Kinës.
Duke bërë shaka, ata kanë thënë se konsumimi i alkoolit mund të parandalojë shpërndarjen.
Deri më tani mbi 3,000 persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri që ka simptoma sikurse të pneumonisë, ndërkohë që 80,000 të tjerë janë prekur nga e njëjta sëmundje.
Ky virus ka infektuar më shumë se 10,000 persona jashtë Kinës, duke përfshirë shpërthime të mëdha që kanë lënë të vdekur dhjetëra persona në Iran, Itali dhe Korenë Jugore.
Në gjithë Ballkanin, Kroacia ka raportuar për nëntë persona të prekur nga virusi, Greqia tetë, Bosnje-Hercegovina dy dhe Maqedonia e Veriut një.
Asnjë person nuk është raportuar i vdekur në këtë rajon, ndërkohë që Serbia nuk ka konfirmuar asnjë person të prekur me këtë virus.
Pas një takimi me specialistë shëndetësorë dhe epidemiologë më 26 shkurt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka shfytëzuar rastin për të bërë shaka, kur janë bërë pytje për efektin që mund të ketë alkooli në plagë të jashtme për të mbytur një virus.
“Po e them sërish, unë po bëj shaka në llogarinë time”, është shprehur ai.
“Pasi më kanë treguar- dhe tani e shoh se amerikanët insistojnë që është e vërtetë- se koronavirusi nuk përhapet kudo që vendosni alkool, unë i kam gjetur vetes një arsye më tepër për të konsumuar një gotë në ditë. Mirëpo nuk ka të bëjë asgjë me alkoolin (likerin), unë vetëm e kam shpikur atë për vete”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka theksuar se aplikimi i jashtëm i alkoolit nuk është i dobishëm për vrasjen e virueseve që veçse ekzistojnë brenda trupit.
Më vonë i ka ardhur rendi ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Pas përfundimit të një vizite dyditore në Kinë, të cilën ministria e ka përshkruar “në kohën e epidemisë së koronavirusit, si shenjë solidariteti të Serbisë me Kinën”, Daçiq dhe ekipi i tij iu kanë nënshtruar një ekzaminimi të veçantë për virusin në Aeroportin Nikolla Tesla në Beograd më 28 shkurt.
Më pas Daçiq - ish-kryeministër dhe një periudhë, ndihmës i ish-liderit Sllobodan Millosheviq, që ka udhëhequr Social-Demokraët sërish drejt politikës pas konflikteve ushtarake të viteve 1990, - dy herë ka thënë publikisht në emisione televizive se koronavirusi është komplot i të huajve që shënjestrojnë ekonominë kineze.
“Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë sot, kështu që nuk duhet hequr nga mendja idenë që (kriza me koronavirus) është pjesë e një lufte të veçantë kundër Kinës”, ka thënë ai për televizionin privat, Pink TV.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë më shumë detaje.
Dy ditë më vonë, më 1 mars, Daçiq i ka thënë transmetuesit publik serb: Kina është shtet shumë i kujdesshëm. Ata janë duke bërë testime, mirëpo unë kam dëgjuar informacione që thonë se ata dyshojnë se virusi nuk ka origjinë organike por është krijuar në laborator dhe tani duhet të analizohet si është krijuar dhe si ka arritur në Kinë”.
Zyrtarët kinezë nuk kanë supozuar asnjëherë se ndonjë fuqi e huaj ka qenë mbrapa virusit, që mendohet se ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Vuhan të Kinës.
Shumë rajone në Kinë janë paralizuar, duke u vendosur në karantinë, apo duke pezulluar fluturimet, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Më 4 mars, Italia, një nga shtetet e prekura më së keqi nga ky virus në Evropë, ka njoftuar se do të mbyllë të gjitha shkollat deri në mesin e muajit mars.
Ekonomistët në gjithë botën kanë ulur parashikimet për rritje ekonomike, pasi kundërmasat dhe shqetësimet për përhapje masive kanë fituar vëmendje.
Komiteti Financiar dhe Monetar Ndërkombëtar, që raporton për Fondin Monetar Ndërkombëtar ka pranuar më 4 mars se “ndikimi ekonomik dhe ai financiar janë vërejtur në nivel global, duke krijuar paqartësi dhe duke dëmtuar parashikimet afatshkurtëra”.
“Infodemi masive”
Dragan Gjukanoviq, profesor i shkencave politike në Beograd ka paralajmëruar se supozime të tilla për “krijim të virusit” nga një zyrtar i lartë shtetëror “mund të kontribuojnë në prishjen e marrëdhënieve shtetërore me zyrtarë tjerë”.
Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që janë në krye të betejës për parandalim të virusit në botë, kanë paralajmëruar vazhdimisht për “infodemi masive”- apo informacion të tepruar- pak të vërtetë dhe pak jo- i cili më pas u krijon vështirësi lexuesve të dallojnë burimin e infomacionit dhe udhëzimet e sakta për të cilat kanë nevojë.
Madje kjo Organizatë ka krijuar “një ekip për rrjete sociale dhe rrezik teknik të komunikimit” për të identifikuar “mitet dhe thashethemet’.
“Për shkak të nevojës së madhe për informacion të besueshëm rreth koronavirusit, ekipet e rrjeteve sociale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë duke punuar nga afër për të identifikuar dhe për t’iu përgjigjur miteve dhe thashethemeve”, ka njoftuar OBSH-ja.
Ministria e Shëndetësisë në Serbi ka hapur një faqe online që raporton të paktën dy herë në ditë për çështjet që lidhen me koronavirus, duke përfshirë udhëzime si të zvogëlohet rreziku dhe si të parandalohet paniku.
“Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm është përgjigje politike e papërgjegjshme”, ka thënë epidemiologu dhe profesori i pensionuar, Zoran Radovanoviq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Ky devijim nga situata aktuale është i dëmshëm”, ka thënë ai.
“Në të kundërtën, nëse këto dezinformata nga interneti furnizohen edhe me deklarata të bëra nga ekspertët dhe politikanët nga një mori konferencash për media, që vetëm dëshirojnë të shqetësojnë njerëzit, atëherë efekti është shkatërrues”.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë nisur një hetim penal rreth një incizimi njëminutësh, që ka qarkulluar në rrjetin e mesazheve, WhatsApp.
Në të, një zë i një gruaje pretendon se një doktor i klinikës së Beogradit për sëmundje infektuese e ka telefonuar atë për t’i thënë se koronavirusi është konfirmuar në Serbi dhe se dy persona kanë vdekur në klinikë. Aty po ashtu është thënë se doktorët janë urdhëruar që të mos shpërndahet ky informacion me publikun.
“Zyrtarët në Departamentin e Ministrisë së Brendshme për luftim të krimeve që lidhen me teknologji të lartë, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit, janë duke punuar për të identifikuar personin që ka bërë këtë incizim, pasi ka dyshime se ajo ka kryer vepër penale, duke shkaktuar panik”, ka thënë ministria në një deklaratë.
Në mënyrë anonime, një varg llogarish në rrjetin social, Twitter kanë shpërndarë akuza, duke përshkruar koronavirusin e ri si “mjetin perfekt për manipulim të njerëzve, shpërndarës të frikës dhe për shkatërrim të Kinës. Një virus artificial që është krijuar në kuzhinën britanike….”.
Një tjetër llogari në Facebook, kryesisht me përmbajtje në gjuhën serbe, ka përmendur teori konspirative, duke bërë lidhje në mes të Fondacionit të Bill dhe Melinda Gates, dhe përhapjes së koronavirusit (dhe të tjerëve si Ebola dhe Zika).
Kjo llogari është identifikuar më vonë nga Facebook-u dhe informacioni është cilësuar “i rremë”.