Ndërlidhjet

Vuçiq: Kemi fakte edhe për pjesëtarë tjerë të shërbimit rus


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Serbia në disa raste ka konstatuar dhe dokumentuar përmes fotografive, video-incizimeve dhe regjistrimeve audio, kontaktet e nënkolonelit, Georgy Kleban, pjesëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake ruse (GRU) dhe anëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kemi fakte edhe për disa pjesëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë dhe nëntë pjesëtarë të forcave tona ushtarake”, deklaroi Vuçiq, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Ai e mblodhi organin më të lartë të sigurisë në vend, për të diskutuar një “aferë spiunazhi” për të cilën kishte raportuar Radio Evropa e Lirë.

Një video-incizim i publikuar, paraqiste dy burra, duke shkëmbyer para mes vete. Më vonë, njëri nga burrat u identifikua si Georgy Kleban, pjesëtar i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse dhe tjetri, një agjent serb.

Vuçiq tha se incizimet nuk janë bërë nga Agjencia e Sigurisë së Ushtrisë, por se shërbimi ishte në dijeni të incidentit, i cili, sipas Vuçiqit, ka ndodhur në 24 dhjetor 2018.

"Shërbimi jonë i sigurisë kishte dijeni se rreth orës 18-të, në Zemun, një anëtar në pension i ushtrisë serbe, do të takohet me Georgy Kleban. Për arsye mbrojtjeje, përcjellja është kryer në distancë më të madhe dhe mbledhja e fakteve nuk ka qenë e mundur, sepse ka pasur më shumë persona të përcjelljes nga një palë e kundërt", ka thënë Vuçiq.

Personi me inicialet Z.K ka qenë subjekt i përcjelljes edhe për shkak të kontakteve me shërbimin kroat, tha Vuçiq, duke treguar më pas, se ambasadorit të Rusisë në Beograd, Botsan Harchenko, gjatë takimit më 21 nëntor, ia ka bërë vetëm një pyete: Pse?

Vuçiq tha se Serbia ka kohë që është përballur me funksionimin e shërbimeve të huaja - nga vendet e zhvilluara dhe rajoni.

Reagimi i Rusisë

Rusia ka thënë se asgjë nuk mund të dëmtojë marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Serbisë, pavarësisht faktit se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka hapur një hetim, pas një video-incizimi të publikuar nga Radio Evropa e Lirë ku shihet një i dyshuar si zyrtar i inteligjencës ruse duke i dhënë ryshfet një “agjenti serb”, raporton Reuters.

“Raportet me Serbinë janë vëllazërore dhe të bazuara në partneritet. Asgjë nuk mund të ndikojë tek ato”, tha për Reuters, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.

Zëdhënësja i ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova, tha se video-incizimi ishte një provokim përpara një takimi të nivelit të lartë, raporton Interfax.

"Tashmë jemi mësuar që disa javë, apo disa ditë para ndonjë takimi të nivelit të lartë të shfaqen histori interesante të cilat paraqiten si sensacion. Dhe, pastaj koha kalon e rezulton se provokimet janë planifikuar keq", tha Zaharova.

Më 4 dhjetor pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Moskë.

Si filloi kjo aferë spiunazhi?

Agjencia Informative e Sigurisë në Serbi (BIA) konfirmoi për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) vërtetësinë e video-incizimit, në të cilin shihet takimi i dy burrave në një parking, ku më pas të dy shkojnë në drejtim të njërës prej makinave. Njëri prej tyre, që dyshohet të jetë “agjent i zbulimit rus” i dorëzon qesen me para një “agjenti serb”, i cili lë atë në një makinë të parkuar.

Më pas ata shkojnë në një kafene aty pranë, dhe më pas largohen në drejtime të ndryshme. Kur njëri nga burrat, i identifikuar në përshkrimin e videos si një "agjent serb", pas takimit, shkon në makinën e tij dhe hap qesen që mori, ai në të gjen një zarf me para.

Kush janë personat në video-incizim?

Kreu i Drejtorisë për analizë të BIA-s, Rela Zhelski, konfirmoi për RTS-in, se personi në video ishte një oficer i zbulimit rus.​

Christo Grozev, anëtar i grupit hulumtues me bazë në Britani, Bellingcat, ka identifikuar njërin nga personat e parë në video si zëvendës-atasheun ushtarak rus, Georgy Kleban.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka thënë se Kleban ka qenë ndihmës i të dërguarit të Mbrojtjes në ambasadën ruse në Beograd, deri në qershor të vitit 2019.

Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar ambasadës ruse në Beograd, nëse mund të konfirmojë që personi, i cili duket në video është Kleban dhe cili është statusi i tij aktual.

Ambasada nuk është përgjigjur ende.

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Georgy Kleban mbajti pozicionin e ndihmësit të të dërguarit të Mbrojtjes në ambasadën ruse në Beograd, por u shkarkua nga ai pozicion në qershor të vitit 2019.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG