“Ata qytetarë që tregojnë mëshirë për kafshët, pavarësisht moshës së tyre, reflektojnë mirësinë e brendshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ajeta Rexhepoviq, e cila për çdo ditë përgatit ushqim të ngrohtë për dhjetëra qen të pastrehë në rrugët e qytetit të Shkupit.
Sapo ndalet, një grup qensh drejtohen kah makina e saj dhe presin racionin e ushqimit të ditës, që sipas zakonit e marrin nga dora e saj.
“Jo jo prit, njëherë ushqimin e thatë, vitaminat, pastaj supën”, u drejtohet ajo qenve, të cilët me bindje qëndrojnë deri sa u vjen radha.
Ajo tregon se si çdo ditë bart kova plot me ushqim të përgatitur për qentë me gjithë problemet me shëndetin.
“Nëse kam ushqim të thatë të gatshëm, e përziej. Të kem çdo ditë ushqim të thatë që të mos detyrohem të ziej dhe më pas t’i bart kovat me supë kockash, pasi unë jam plakur dhe nuk mund të bart kovë të rënda pasi kam edhe probleme me kurrizin, do ta kisha më lehtë...”, shprehet ajo.
“Një kafshatë të vetme po ua dhe, kurrë s’ta harrojnë këtë të mirë. Po edhe nëse i keqtrajton, edhe pas shumë vjetësh të lehin, nuk të sulmojnë, por lehin nga frika”, thotë Ajeta Rexhepoviq, e cila për qentë e pastrehë kujdeset në mënyrë vullnetare duke ndarë mjete nga pensioni i saj dhe në disa raste shumë të rralla nga bamirësit.
E pyetur nëse i njeh të gjithë qentë e kësaj lagje pasi u drejtohej me emra, ajo thotë:
“Po, ata më njohin mua dhe unë i njoh ata”.
Qentë e racave lihen në rrugë nga pronarë të papërgjegjshëm
Ajeta Rexhepoviq, e cila ka punuar si aktore në Teatrin Shqiptar në Shkup, thotë se roli nga i cili ndihet e indinjuar është ai i “pronarit të keq të kafshëve”.
Thekson se tmerrohet kur sheh qen të racave fisnike, të cilët pronarët e mërzitur i kanë lënë në rrugë:
“I marrin për një kohë, nuk i sterilizojnë dhe pasi qenushja lind këlyshët e saj i nxjerrin në rrugë. Ja tani në lagjen ku jetoj e kanë lënë nënën me gjashtë këlyshët e saj... Pronarët, pasi janë kujdesur një kohë, i kanë braktisur dhe është shumë e vështirë që këta qen të mësohen të mbijetojnë në kushtet e rrugës”.
Kafshët sulmojnë nga frika se mund të keqtrajtohen sërish
Numri i madh i qenve në rrugët e qyteteve të Maqedonisë së Veriut paraqet probleme për sigurinë e qytetarëve pasi jo rrallë ata bëhen viktimë e kafshimeve të qenve, veçanërisht fëmijët.
Ajeta thotë se e kupton frikën e qytetarëve, por thekson se asnjë qen nuk sulmon nëse nuk ndihet i rrezikuar. Sipas saj, agresiviteti i kafshëve është pasojë e rasteve kur paraprakisht këto kafshë janë keqtrajtuar.
Shumë herë, qentë derisa janë të vegjël, disa javë pas lindjes merren nga fëmijët, tregon Ajeta, për të nxjerrë merakun dhe pas disa ditësh ata lihen në rrugë, por me shumë plagë në qafë nga litarët joadekuatë me të cilët janë lidhur.
“Më njoftuan se disa këlyshë ishin në gjendje të rëndë. Shumë e dhimbshme... nga fëmijët ishin lidhur me penj në shtyllat elektrike, pa pushim... kjo tregon se duhet shumë punë për sa i përket edukimit të fëmijëve po edhe të rriturve që të jenë më të përgjegjshëm ndaj trajtimit të kafshëve”, shprehet ajo.
Edhe në rrjetet sociale bën thirrje për të strehuar qentë e vegjël, por vetëm pasi i ka vaksinuar dhe sterilizuar.
Vetëm atyre që janë vërtet të gatshëm të përkushtohen për të mbajtur një kafshë shtëpiake, Ajeta thotë se vendos t’ua besojë qenin për të cilin përmes rrjeteve sociale kërkon pronar.
“Unë shkoj ta kontrolloj se si e trajtojnë dhe si kujdesen pronarët e rinj”, thotë me të qeshur ajo.
Vaksinimi dhe sterilizimi ul numrin e qenve endacakë dhe jo sjellja johumane
Ajeta Rexhepoviq thotë se për të ulur numrin e qenve endacakë në rrugë ata helmohen ose goditen dhe me plagë të rënda lihen në rrugë derisa lëshojnë dhe frymën e fundit.
"Kjo sjellje johumane flet shumë për institucionet që nuk veprojnë, flet shumë për ne si shoqëri që me sjellje të dhunshme synojmë t’i zgjidhim problemet, flet për ne si individë që kemi humbur empatinë. Por, fatmirësisht ka dhe njerëz të tillë që më afrohen për të më ofruar mbështetje, megjithëse rastet e tilla janë shumë të rralla”, thotë Ajeta Rexhepoviq.
Gjatë tre vjetëve të fundit qytetarët në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar mbi 3.600 raste të sulmeve nga qentë endacakë. Por, ky numër konsiderohet të jetë shumë më i madh, pasi një pjesë e qytetarëve nuk i paraqesin rastet kur sulmohen nga qentë endacakë.
Në tetor të vitit 2020 në Shkup është hapur stacioni për qentë endacakë, Ndërmarrja Publike “Lajka” si hallka e parë në zinxhirin për zgjidhjen e problemit me qentë e pastrehë, si dhe zvogëlimin e numrit të tyre në rrugët e Shkupit.
Porse, kapacitetet e saj janë të pamjaftueshme për strehimin e qenve endacakë, theksojnë organizatat që merren me mbrojtjen e kafshëve.