Kur Lazar Radkov u nis nga Bullgaria për në Ukrainë, në mes të janarit, ai mendoi se ky mund të jetë udhëtimi i tij i fundit si vullnetar.
Por, pasi karvani i tij i ndihmës u godit indirekt nga bombat ruse jashtë Harkivit, duke lënë të vrarë një nga kolegët e tij vullnetarë, ai vendosi ta vazhdojë punën në vendin e shkatërruar nga lufta.
“Kështu është në luftë. Këto gjëra janë krijuar për të vrarë e për të gjymtuar. Nuk ka dyshim. Kushdo që shkon atje, e kupton se mund të mos kthehet dhe çdo ditë e konsideron si dhuratë”, thotë Radkov për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.
Radkov është një sipërmarrës 39-vjeçar nga organizata “Kapakë për të ardhmen”, e cila mbledh kapakë të shisheve të plastikës dhe kanaqe metalike për riciklim. Të ardhurat që i fiton, i dhuron për pajisje mjekësore në spitalet në Bullgari.
Organizata shpërndan edhe gjeneratorë për spitale, shkolla, shtëpi pleqsh dhe ndërtesa banimi. Vullnetarët e saj mbulojnë afërsisht 5.000 kilometra në javë.
Më 20 janar, Radkov po udhëtonte me nëntë punonjës të tjerë të ndihmës, të shpërndarë në dy autobusë, në Ukrainë.
Ishte pothuajse shtetrrethim dhe autobusët, ku shkruante qartë “vullnetarë”, u sulmuan pranë një fshati në rajonin e Harkivit.
Radkov, i cili një pjesë të madhe të punës së tij në Ukrainë e dokumenton në mediat sociale, tregoi se autobusët ishin goditur nga një mortajë. Megjithatë, më vonë, ushtarët ukrainas u thanë vullnetarëve se në atë kohë ka ndodhur një shpërthim i një droni rus në zonë.
“Mbi kokat tona fluturonin copëza”, kujton Radkov.
Ai thotë se shoferi i autobusit me të cilin udhëtonte, pastori ukrainas, Sasha Andreev, është plagosur rëndë.
“Po bërtiste nga dhimbja. Në një situatë tjetër, do t’ia kisha matur pulsin, nivelin e oksigjenit, presionin e gjakut... por u futëm në pjesën e prapme të një autobusi dhe ai ishte shtrirë mbi kuti. Dhe, shoferi voziste me shpejtësi”, thotë Radkov.
Ata arritën në spital rreth dhjetë minuta më vonë dhe i plagosuri u dërgua në një operacion urgjent. Ai u transferua në Harkiv për një operacion tjetër, por grupi mësoi më vonë se ai nuk ka mbijetuar.
“Një njeri shumë i mirë vdiq”, thotë Radkov.
“Ai ndihmoi shumë njerëz, si me ndihma humanitare, ashtu edhe me evakuim. Ishte një pastor i vërtetë, si shumë njerëz atje [në Ukrainë]. Kisha bën mrekulli”, thotë ai.
Para se të nisej në misionin në Ukrainë, Radkov thotë se kishte një parandjenjë për udhëtimin dhe se u shkroi disa miqve të ngushtë disa udhëzime, në rast se nuk do të kthehej. U tha, po ashtu, se i donte ata.
Ai thotë se familja e tij në Bullgari shqetësohet vazhdimisht për sigurinë e tij dhe se të gjithë ndjehen të lehtësuar dhe të lumtur kur kthehet i gjallë, sidomos djali i tij 7-vjeçar.
Radkov ka mbështetje edhe nga njerëzit në mediat sociale, ku shpesh poston fotografi dhe informacione për punën që bën organizata e tij në Ukrainë.
Megjithatë, ka edhe disa kritikë që e akuzojnë për shpërdorim të fondeve të organizatës “Kapakë për të ardhmen”, duke drejtuar misione ndihme në Ukrainë, në vend se vetëm brenda Bullgarisë.
“Më kanë quajtur bastard, sepse kam ndarë një javë nga jeta ime për t’i ndihmuar njerëzit që nuk kanë furnizime ushqimore”, thotë ai.
Radkov thotë se këta njerëz e harrojnë faktin se 99 për qind të punës ai e bën në Bullgari dhe 99 për qind e mjeteve që ai mbledh, shkojnë për fëmijët bullgarë.
Radkov hapi organizatën “Kapakë për të ardhmen” në vitin 2017 dhe suksesi i tij i parë ishte sigurimi i inkubatorëve për foshnjat e lindura para kohe në disa spitale në Bullgari.
Më pas, ai mblodhi fonde për katër ambulanca neonatologjike, të cilat tani mund të akomodojnë edhe të porsalindur, ndërsa fushata për të pestën është në zhvillim e sipër.
Radkov thotë se që nga sulmi i 20 janarit, është duke menduar për ta ndryshuar mënyrën e ndihmës në Ukrainë - ndoshta më shumë nga distanca.
“Dëshira për të ndihmuar ekziston te çdo person, në shpirtin e tij, në psikikën e tij. Te disa, ajo shfaqet më rrallë, te të tjerët më shpesh, pavarësisht rrezikut. Disa njerëz, për fat të keq, largohen. Por, unë rrezikoj dhe... çfarëdo që Zoti ka planifikuar për mua”, thotë Radkov.