Seria do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp në Agjencinë për Siguri Ushtarake.
Lideri serb i bëri këto komente vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan.
“Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t'i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, tha Vuçiq.
Ai njoftoi se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të ndara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, tha Vuçiq.
“Kur t'i bashkoni të gjitha këto, do të shihni se ky do të jetë viti në të cilin ne do të pajisemi më së miri, më shpejt dhe më fuqishëm”, tha Vuçiq.
Duke folur për vendimin e SHBA-së për t'i shitur Kosovës 246 raketa antitank të prodhimit amerikan, si dhe pajisje përcjellëse, Vuçiq tha se kjo lëvizje është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila, shtoi ai, nuk parasheh që Kosova të ketë ushtri.
"Sipas Rezolutës 1244, nuk guxon të ketë asnjë grup të shqiptarëve të armatosur të Kosovës dhe ata krijuan një ushtri për ta dhe vazhdojnë ta krijojnë atë. A jemi ne të fortë si Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia - nuk jemi. Por, mund t’i tregojmë gjithë botës se kjo në mënyrë brutale shkel normat juridike ndërkombëtare”, tha Vuçiq.
Më herët, më 11 janar, presidenti shprehu “zhgënjim të madh” me njoftimin e SHBA-së se miratoi kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave Javelin, pasi vendimi iu kumtua nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.
Pasi u miratuan ndryshimet në Kuvendin e Kosovës më 2018, Qeveria e atëhershme nënshkroi një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me 51 automjete të tipit Humvee.
Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.
Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.
Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është në vlerë prej 153.049.911 eurosh.