Ndërlidhjet

Vuçiq bisedon me senatorët amerikanë për situatën në veri të Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, lidhur me situatën në Kosovë.

Senatorët amerikanë, sipas një njoftimi të Presidencës serbe, i kërkuan Serbisë vetëpërmbajtje dhe bën thirrje për paqe.

“Murpy, Shaheen dhe Ricketts i thanë presidentit Vuçiq se ata kërkojnë vetëpërmbajtje nga Serbia dhe thirrje për paqe sepse kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.

Sipas këtij njoftimi, gjatë kësaj bisede, tema e vetme ka qenë situata në veri të Kosovës.

Vuçiq u ka thënë senatorëve amerikanë se “qartazi dhe pa asnjë dyshim”, arrestimi i Millun Millenkoviq- Llune ishte provokim dhe një krim, që sipas tij, u krye nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Presidenti serb tha se Kurti po “tenton të provokojë një luftë në zemër të Evropës”.

“Serbia po bën gjithçka për të ruajtur paqen, por populli serb në Kosovë i është ekspozuar torturës dhe ndjekjes më të keqe në 15 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Gjatë 13 qershorit, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”. Ai, sipas Sveçlës, ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Zveçan më 29 maj.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Bashkimi Evropian, siç ka mësuar Radio Evropa e Lirë, ka përgatitur një pako sanksionesh ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG