Ndërlidhjet

Vuçiq pret Dodikun, diskutojnë për çështje globale dhe rajonale


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke biseduar nga afër me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik përgjatë “Kuvendit gjithëserb” në Beograd, 8 qershor 2024.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke biseduar nga afër me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik përgjatë “Kuvendit gjithëserb” në Beograd, 8 qershor 2024.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të enjten në Beograd presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

“Një bisedë shumë e mirë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë edhe një analizë të përbashkët të çështjeve globale dhe rajonale”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Një temë ishte edhe lufta kundër migrimit të paligjshëm. Presidenti Dodik dhe unë i kushtuam vëmendje të veçantë lidhjes infrastrukturore, rrugore, hekurudhore dhe energjetike midis Serbisë dhe Republikës Sërpska”, shtoi Vuçiq.

Takimi midis dy zyrtarëve vjen një ditë pasi drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA (CIA), William Burns, qëndroi në Beograd. Paraprakisht, ai vizitoi edhe Sarajevën.

Askush prej zyrtarëve në Serbi dhe në SHBA nuk e konfirmoi e as mohoi vizitën e Burnsit, ndërsa nga CIA i thanë Radios Evropa e Lirë se “nuk e komentojnë orarin e udhëtimeve të drejtorit”.

Në Sarajevë, Burns u takua me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, me anëtarë të Presidencës, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.

Të enjten, Burns po qëndron në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG