Ndërlidhjet

Vuçiq nuk merr pjesë në samitin BRICS, Serbia përfaqësohet me katër ministra


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se nuk do të marrë pjesë në samitin BRICS, nikoqir i të cilit këtë vit është presidenti rus, Vladimir Putin, por që Serbia do të përfaqësohet me katër ministra.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), Vuçiq ka thënë se i ka treguar presidentit të Rusisë, përmes telefonit, se do të ketë një mori takimesh me zyrtarë evropianë gjatë kohës sa do të mbahet samiti BRICS, më 22-24 tetor.

“Do të dërgojmë një delegacion që do të përfshijë katër ministra, zëvendëskryeministrin, Aleksandar Vullin, ministrin e Mbrojtjes, Bratisllav, Gashiq, ministren e Ekonomisë, Adrijana Mesaroviq dhe ministrin pa portofol, Nenad Popoviq”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, do të vizitojë Beogradin më 23 tetor.

Vuçiq e ka përsëritur që Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ai ka thënë se sipas rezultateve të disa sondazheve të opinionit publik, mbështetja e serbëve për BE-në dhe BRICS-in është 42 me 42 për qind, dhe që nuk e përjashton që situata do të mund të ndryshonte nëse do të deklarohej “ndryshe prej asaj që kam deklaruar deri më tani”.

BRICS, është forum joformal tregtar, i krijuar prej Rusisë, Kinës, Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut.

Putin e shfrytëzon këtë platformë për qëllime gjeopolitike dhe e konsideron si kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit në botë, por edhe që të dërgojë sinjal se Rusia nuk është e izoluar, pavarësisht sanksioneve ndaj saj, pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Brukselit, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit, ndonëse është vend kandidat për anëtarësim në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG