Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.
Një ditë më parë, më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Në konferencën për media, Vuçiq tha të enjten se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.
Ai konfirmoi se nuk do të ketë targa të reja KM, të cilat, sipas tij, ishin rreth 90 sosh në vit.
Vuçiq po ashtu tha se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Në këtë mënyrë është përgjigjur Vuçiq, i pyetur për qëndrimin në lidhje me zgjedhjet lokale në veri të Kosovës të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, pas largimit të serbëve nga veriu i Kosovës nga institucionet e Kosovës.
Më 5 dhjetor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të riregjistruar targat serbe në RKS (Republika e Kosovës) dhe suspendimit të komandantit të policisë rajonale për veriun e Kosovës, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte atë vendim.
Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.
Presidenti i Serbisë shtoi se është e rëndësishme që në Bruksel është theksuar domosdoshmëria e përmbushjes së marrëveshjeve të mëparshme.
Vuçiq përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë.
“Ne nuk e duam Kosovën në OKB dhe çfarë do të bëni atëherë, na bombardoni, na kërcënoni me sanksione”, tha ai.
Ai shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën.
Edhe Lista Serbe e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Bruksel, dhe ka thënë se targat KM mbeten në përdorim dhe se ato do të mund të vazhdohen, por “të reja nuk të lëshohen tani për tani”.
Marrëveshja është mirëpritur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Negociatat janë zhvilluar në Bruksel ndërmjet të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.
Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Më 22 nëntor, me kërkesë të SHBA-s, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.
Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.
Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.
Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.