Ndërlidhjet

Lajçak: Me Vuçiqin biseduam për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Fotografi nga arkivi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Fotografi nga arkivi.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në Beograd më 5 dhjetor diskutoi për normalizimin e raporteve, por edhe për çështjen e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

Lajçak tha se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është si takim pasues pas rundit të fundit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

"Ne po ashtu biseduam për çështjet aktuale, përfshirë kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, udhërrëfyesin e energjisë dhe personat e zhdukur", shkroi Lajçak në Twitter.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë të hënës tha se me Lajçakun ka diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

"E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe kushteve më të mira për jetën e të gjithëve qytetarëve”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Lajçak erdhi në Beograd pasi Beogradi zyrtar javën e kaluar kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të emëruar kreun e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Serbia e ka konsideruar këtë vendim si shkelje dhe ka thënë se Rashiq nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Pozita në të cilën është emëruar Rashiq, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës. Për të njëjtën arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.

Më 1 dhjetor, Vuçiq, e ka quajtur Kurtin “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian. Megjithatë, më 5 dhjetor Vuçiq konfirmoi pjesëmarrjen në këtë samit.

Samiti do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG