Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në Nju Jork me presidentin e Iranit, Masud Pezeshkijan, dhe, siç ka theksuar ai, tema e veçantë e bisedës ishte situata në Kosovë.
Vuçiq ka shkruar në Instagram se e falënderoi Iranin për "qëndrimin e tij të palëkundur dhe të vendosur lidhur me integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë".
Takimi i dy presidentëve u mbajt në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Serbia që nga viti 2021 ka forcuar bashkëpunimin me Iranin, pavarësisht se bëhet fjalë për një shtet nën sanksione të Bashkimit Evropian (BE), me politikën e jashtme dhe të sigurisë të së cilit është e detyruar të harmonizohet si një shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Teheranit për çështjen e Kosovës, pavarësinë e së cilës as Irani nuk e njeh.
Vuçiq, siç raportohet, gjatë takimit me presidentin iranian ka theksuar rëndësinë e institucionit të Kombeve të Bashkuara në përpjekjet për të intensifikuar dialogun dhe aktivitetet diplomatike me qëllim të qetësimit sa më të shpejtë të të gjitha konflikteve, pasojat e të cilave tashmë janë të thella dhe afatgjata.
Vuçiq e ka ftuar presidentin e Iranit që ta vizitojë Serbinë.
"Këmbyem mendime për vendin dhe rolin e vendeve tona në arenën politike ndërkombëtare, si dhe për nevojën për të shfrytëzuar ndikimin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme me qëllim të zhvillimit, përparimit, paqes, stabilitetit dhe lidhjes ekonomike, që sot janë tejet të nevojshme për të gjithë ne", ka shtuar Vuçiq.
Për Kosovën edhe me kreun e diplomacisë kineze
Kosova ishte një nga temat e bisedës së Vuçiqit edhe me kreun e diplomacisë kineze, Wang Yi.
Siç ka shkruar në Instagram, Vuçiq ia paraqiti kreut të diplomacisë kineze "situatën gjithnjë e më të vështirë të popullit serb" në Kosovë dhe kërkoi mbështetjen kineze "në luftën për të vërtetën dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare".
Serbia llogarit në mbështetjen e Kinës, e cila po ashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.
Vuçiq ka theksuar gjithashtu se Serbia është mirënjohëse ndaj Kinës pasi në maj të këtij viti votoi kundër Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiq ka shtuar se me Wang Yi ka diskutuar "të gjitha temat më të rëndësishme, nga marrëdhëniet dypalëshe të vendeve dhe bashkëpunimi i mëtejshëm në fushat me rëndësi të përbashkët, deri te çështjet globale dhe problemet me të cilat përballet sot bota".
Ai gjithashtu ka theksuar se Serbia është mirënjohëse ndaj presidentit kinez, Xi Jinping, "për mbështetjen e qëndrueshme dhe miqësinë e sinqertë".
Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Kinën që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit në vitin 2012. Zyrtarët i përshkruajnë marrëdhëniet mes dy vendeve si një "miqësi prej çeliku".
Për shkak këtyre raporteve me Kinën dhe marrëveshjeve të arritura me të, shpeshherë Serbia ka qenë në shënjestër të kritikave të Shteteve të Bashkuara, si dhe të Bashkimit Evropian, anëtare e të cilit synon të bëhet.