Ndërlidhjet

Vuçiq: Perëndimi të mos i mbështesë veprimet e Prishtinës


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje vendeve perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, që të përmbahen nga mbështetja e “veprimeve të dhunshme të autoriteteve të Prishtinës”, siç ishin ato në veri të Kosovës.

Javën e kaluar autoritetet në Kosovë ndërmorrën një aksion anti-kontrabandë në disa komuna të vendit përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut. Ky operacion është përcjellë me protesta të dhunshme të serbëve lokalë. Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve janë lënduar 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë.

Më 16 tetor, Vuçiq në një intervistë për televizionin serb Prva akuzoi Britaninë e Madhe se ishte pas veprimit të fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat dërguan njësitë speciale në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe.

I pyetur nëse ka pasur reagim ndaj këtyre kritikave, Vuçiq tha se kishte "vërejtje dhe biseda jozyrtare".

"Mjafton që unë t'u them atyre të lexojnë deklaratën e ambasadës së tyre në Prishtinë. Unë gjithmonë do të dëshiroj të kem marrëdhëniet më të mira me Britaninë e Madhe, ata na ndihmuan shumë me prokurimin e vaksinave AstraZeneca. Por, mos na fyeni inteligjencën tonë", u tha Vuçiq gazetarëve të dielën, pasi vizitoi selinë e Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA) në Beograd.

Tensionet e javës së kaluar pasuan ato të muajit shtator kur veriu i Kosovës u bllokua nga serbët lokalë pasi aty u vendosen forcat speciale të Kosovës për të garantuar zbatimin e masës së reciprocitetit në çështjen e targave të automjeteve me Serbisë.

Kosova dhe Serbia ranë dakord në Bruksel më 30 shtator për një zgjidhje të përkohshme që përmes letrave ngjitëse të qarkullojnë veturat e njëra tjetrës në të dyja vendet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG