Ndërlidhjet

Për Vuçiqin, sanksionet e SHBA-së ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska dhe Serbisë “nuk ekzistojnë”


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik. Banja Lluka, 4 gusht 2023.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i entitetit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik. Banja Lluka, 4 gusht 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Serbisë nuk ekzistojnë, se ato nuk do të sjellin asnjë të mirë dhe vetëm do t’i dëmtojnë marrëdhëniet e ndërsjella.

“Mjafton të shohim se ndaj kujt janë sanksionet për ta parë se sa të paanshme janë. Ne jemi një vend i vogël, veçanërisht në krahasim me SHBA-në. Për ne, ato sanksione nuk ekzistojnë dhe ne nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me ata që vendosën ato sanksione kundër pjesëtarëve të kombit tonë. Për ne, ky është i vetmi vendim i mundshëm, i ndershëm por i vështirë”, tha Vuçiqi më 4 gusht në Banja Lluka të Bosnje dhe Hercegovinës.

Vuçiqi tha se gjatë dy ditëve të fundit, përveç sanksioneve, ka diskutuar me udhëheqjen e Republikës Sërpska (RS) dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, “për gjithçka që ndodhi dhe mund të ndodhë në Kosovë”.

Gjatë këtij viti, Serbia dhe entiteti Republika Sërpska po e festojnë “Ditën e Përkujtimit të Viktimave dhe Serbëve të Mërguar në aksionin ‘Stuhia’” në Prijedor, që solli zyrtarët më të lartë të Serbisë në Banja Luka.

Integriteti territorial i Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Republikës Sërpska

Gjatë një konference për media me presidentin e RS-së, Millorad Dodikun, Vuçiqi tha se Serbia e “respekton plotësisht sovranitetin dhe integritetin e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe integritetin e brendshëm të Bosnje dhe Hercegovinës, e cila përbëhet nga dy entitete dhe tre popuj”.

“Ne presim që Bosnja dhe Hercegovina ta respektojë integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk ndodhi gjatë votimit në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiqi, duke u bërë thirrje “miqve në Bosnje dhe Hercegovinë ta respektojnë këtë”.

Në fund të prillit të vitit 2023, përfaqësuesi i Bosnje dhe Hercegovinës në Këshillin e Evropës abstenoi gjatë votimit për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Duke folur për hapjen e Konsullatës në Bijeljina, kundër së cilës Denis Beqiroviq, një anëtar boshnjak i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, votoi më 31 korrik, Vuçiqi tha se nuk kishte asgjë kundër hapjes së disa konsullatave të tjera të Bosnje dhe Hercegovinës në Serbi dhe se për të “asgjë që vjen nga Sarajeva nuk është armiqësore dhe do të doja që ata të mendojnë njëjtë për iniciativat e tilla nga Serbia në Sarajevë”.

Ai tha se është i gatshëm të takohet me të gjithë në Sarajevë “nëse duan të bisedojnë” dhe tha se “të gjithë nga Sarajeva janë të mirëpritur në Beograd”.

“Nuk e kam përmendur kurrë ‘Botën Serbe’. Mediat gjermane njoftuan një ditë më parë se unë po ëndërroja për të. Unë kurrë nuk e kam thënë këtë, kështu që tani ata kanë filluar të hyjnë në ëndrrat e mia”, tha Vuçiqi.

Ai pyeti nëse është e mundur që “vetëm Republika Sërpska të jetë fajtore për gjithçka në Bosnje dhe Hercegovinë për faktorin e huaj” dhe “që gjithçka në Kosovë është për fajin e serbëve”.

Dodiku përsëriti tezat e tij të mëhershme

Dodik, duke folur në konferencën për media pas Vuçiqit, tha se anëtari i presidencës, Denis Beqiroviq, “është vetëm një e treta e Bosnje dhe Hercegovinës”.

“Disa nga Sarajeva mendojnë se po ‘pyeten’ për të gjithë vendin. Nëse nuk i përfshin të tri kombet, atëherë nuk është Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Dodiku.

Dodiku shtoi se qëllimi i tyre është që lidhjet mes Republikës Sërpska dhe Serbisë të jenë më intensive dhe se “Serbia dhe Republika Sërpska do ta mbrojnë Republikën Sërpska së bashku”.

“Bashkëpunimi ynë nuk ka për qëllim askënd tjetër apo një palë të tretë në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Dodiku.

Ai shtoi se gjatë takimit u diskutua për ndërtimin e autostradës nga Beogradi në Banja Llukë dhe për projektet e financuara nga Serbia në komunitetet lokale në Republikën Sërpska, ku serbët janë shumicë.

Dodiku tha gjithashtu se ata diskutuan për sanksionet e SHBA-së ndaj tij dhe zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilat, sipas tij, “nuk ishin të lehta dhe vijnë nga vendi më i madh në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë pasur një qëndrim armiqësor ndaj serbëve dhe Serbisë që nga koha e Jugosllavisë”.

Ai përsëriti deklaratat e tij të mëparshme rreth Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, që i dha fund konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai përsëri iu referua Bosnje dhe Hercegovinës si një “komunitet shtetëror”, foli për “uzurpimin” e kompetencave të Republikës Sërpska, “ministritë antikushtetuese” në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës dhe vendimet e përfaqësuesve të lartë në vend dhe bashkësisë ndërkombëtare “drejtuar kundër serbëve”.

Kujtohen viktimat e Petrovcit

Presidentët e Republikës Sërpska dhe Serbisë, të shoqëruar nga peshkopi Sergi nga Bihaq-Petrovc dhe familjet e viktimave, vendosën kurora me lule në memorialin në rrugën Petrovc që çon nga Banja Lluka në Petrovcin e Bosnjës.

Në atë vend, në fillim të gushtit të vitit 1995, aviacioni ushtarak kroat goditi me raketa një grup refugjatësh që po largoheshin nga Kroacia për në Bosnje dhe Hercegovinë dhe pastaj për në Serbi. Sipas organizatave serbe, aty u vranë dhe u plagosën 37 civilë.

“Ne nuk do t'i harrojmë viktimat tona. Humbja e Krahinës serbe ishte një humbje e madhe për popullin serb. Serbia është sot më e fortë, siç është edhe Republika Sërpska. Deri para Aleksandar Vuçiqit, Serbia tentonte ta shtypte kujtesën e disa ngjarjeve që të mos i zemëronte të tjerët. Sot gjithçka ka ndryshuar. Ne do t’i shënojmë të gjitha vendet e vuajtjes sonë”, tha Dodiku.

Ai shtoi se pas Petrovci i Bosnjes do të shkojnë në Prijedor, veprim që tha se disa njerëz e shohin si provokim “sikur serbët të mos kenë vdekur në Prijedor”.

“Ne duhet t'u bëjmë homazhe viktimave të tjera, por askush nuk mund të na ndalojë t’i përkujtojmë vuajtjet tona”, tha ndër tjerash Dodiku.

“Gjatë 28 vjetëve të fundit kam menduar herë të panumërta për këtë vend, kam imagjinuar radhën e refugjatëve që kaluan nëpër këtë rrugë, se si vdiqën njerëzit tanë këtu. Për vite me radhë nuk donim dhe nuk na lejuan ta përkujtojmë atë që është tragjedia e popullit tonë. Këtë përkujtimore e ngritëm dy herë – kryqin që na e rrënuan. Tani e kemi ngritur trefish më të madh. Nëse e shembin këtë do ta ngremë një trefish më të madh se ky dhe do të tregojmë se nuk e durojmë vrasjen e fëmijëve”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi.

Ai theksoi se serbët duhet të tregojnë respekt për viktimat boshnjake dhe kroate, por se viktimat serbe “të cilat u vranë vetëm pse kishin emra serbë” nuk duhet të harrohen.

Dhe Vuçiqi tha se në Serbi “për dekada, viktimat e Jasenovcit dhe vendeve të tjera të ekzekutimit u heshtën, sepse mendoj se ishte e pëlqyeshme për veshin, por ne nuk do të heshtim më”.

Ai paralajmëroi ndihmë për komunat në Republikën Sërpska dhe një entitet tjetër të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës të banuar me shumicë serbe, duke thënë se “një herë e një kohë [më 4 gusht 1994, pas refuzimit të planit të paqes për Bosnjën dhe Hercegovinë] Serbia gjithashtu vendosi sanksione kundër Republikës Sërpska”.

Me vendosjen e luleve në monumentin në fshatin Janjila afër Petrovcit të Bosnjës, që gjendet në entitetin e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, ka filluar zyrtarisht përkujtimi i sivjetshëm i “Ditës së Përkujtimit të Viktimave dhe Serbëve të Mërguar në aksionin ‘Stuhia’”.

Ngjarja qendrore këtë vit do të mbahet në Prijedor.

Gjatë vizitës dyditore të delegacionit serb, të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq, është mbajtur edhe seanca e Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Republikës Sërpska.

Më 4 gusht, qeveritë e entiteteve të RS-së dhe Serbisë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit të paralajmëruar më parë për ndërtimin e dy qendrave përkujtimore kushtuar viktimave të Jasenovcit në Gradinë në veri të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Beogradit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhjetëra mijëra serbë, hebrenj, romë, kroatë dhe antifashistë të tjerë u vranë në kampin e Jasenovcit – i njohur si “Aushvici Kroat”. Kampi drejtohej nga regjimi i ustashëve, që ishin aleatë të nazistëve në Kroaci.

Më 3 gusht, ndër të tjera, delegacionet vizituan kopshtin e sapondërtuar “Srbija” në komunën e Sërbacit në veri të Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa më parë Dodiku, Vuçiqi dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, biseduan në manastirin e Osovicës.

Memorial në Serbi, përgëzime në Kroaci

Aksioni “Stuhia” filloi më 4 gusht të vitit 1995 dhe zgjati 84 orë. Në Serbi dhe Kroaci ka perceptim diametralisht të kundërt për këtë aksion.

Narrativi zyrtar në Kroaci është se ishte një “operacion policor ushtarak” në të cilin ushtria dhe policia kroate, si dhe njësitë e Këshillit Kroat të Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, “çliruan zonat e pushtuara nën kontrollin e serbëve rebelë”, ku u krijua parashteti Krahina e Republikës Sërpska.

Pesë gushti – që njohet si “Dita e Fitores dhe Mirënjohjes ndaj Atdheut” dhe “Dita e Veteranëve Kroatë” – festohet zyrtarisht si dita kur forcat kroate hynë në vendbanimin Knin pothuajse plotësisht të zbrazur dhe festohet kthimi i rreth 150.000 kroatëve të dëbuar në vitin 1991.

Në Serbi dhe Republikën Sërpska, kësaj dite i referohet si “pogrom” dhe “spastrimi etnik më i madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore” në zonën e Banijës, Likës, Kordunit dhe Dalmacisë veriore, dhe shpeshherë quhet edhe “gjenocid”.

Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare “Veritas”, të formuar nga qytetarët e zonës, gjatë “Stuhisë” janë dëbuar mbi 220 mijë serbë të Krahinës dhe 1.869 janë vrarë, prej të cilëve 1.220 thuhet se ishin civilë.

Sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Kroacisë pas luftës janë kthyer gjithsej rreth 133.000 serbë, nga të cilët numri më i madh ishin të moshuar dhe rreth 30 për qind ishin mbi 65 vjeç.

Sipas raportit të Komitetit Kroat të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut për operacionin ushtarak Stuhia, të vitit 2001, numri i përgjithshëm i viktimave në mesin e serbëve është 677.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Shtetit kroat, rreth 2.380 persona janë dënuar për krime të kryera gjatë dhe pas “Stuhisë”, si vrasje, grabitje dhe zjarrvënie.

Në prill të vitit 2011, Gjykata e Shkallës së Parë e Hagës dënoi gjeneralët kroatë Anta Gotovinën me 24 vjet burgim dhe Mlladen Markaçin me 18 vjet për krimet e kryera gjatë operacionit “Stuhia”. Megjithatë, në nëntor të vitit pasardhës, Dhoma Gjyqësore e rrëzoi vendimin dhe i shpalli të pafajshëm dy gjeneralët.

Pse përkujtohet “Stuhia” në Prijedor?

Përkujtimi kombëtar i vuajtjeve të serbëve në aksionin “Stuhia” filloi zyrtarisht në vitin 2015.

“Dita e Përkujtimit të Viktimave dhe Serbëve të Mërguar në aksionin ‘Stuhia’” është shënuar në të gjithë Serbinë gjatë viteve të fundit. Këtë vit, në Prijedor u organizua një festë e përbashkët ku morën pjesë përfaqësues të Serbisë, Republikës Sërpska dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në prag të përvjetorit, presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodiku, tha se Prijedori u zgjodh si vend festimi “sepse populli i Prijedorit ishte i pari që mirëpriti refugjatët serbë” nga e ashtuquajtura Krahina e Republikës Sërpska.

“Ne jemi të gatshëm t’i dëgjojmë dhe kuptojmë vuajtjet e boshnjakëve dhe të gjithë të tjerëve, por gjithashtu kërkojmë që ata t’i dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë serbët”, tha Vuçiqi para vizitës.

Më 31 maj të vitit 1992, autoritetet serbe të Bosnje dhe Hercegovinës në Prijedor lëshuan një urdhër, përmes radios lokale, për popullatën joserbe që t’i shënojnë shtëpitë e tyre me flamuj ose çarçafë të bardhë dhe të vendosin shirita të bardhë rreth mëngëve kur të dalin nga shtëpia.

Pas kësaj, më shumë se 3.000 civilë u vranë. Më shumë se 32.000 joserbë nga Prijedori u mbajtën ilegalisht në rreth 60 kampe përqendrimi, përfshirë në Omarska, Keraterm dhe Manjaça.

Në atë qytet në veri të Bosnjës, në zonën e ish-minierës së Tomashicës, u gjet varri më i madh masiv që nga Lufta e Dytë Botërore. Për krimet në Prijedor, sipas informacioneve të shoqatës së viktimave, janë dhënë rreth 50 aktgjykime të plotfuqishme dhe janë shqiptuar dënime me rreth 800 vjet burgim gjithsej.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG