Ndërlidhjet

Vuçiqi komenton rritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës në veri 


Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia nuk do ta “pranojë lojën e provokimeve” të Kosovës, duke e komentuar ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës në afërsi të kufirit me Serbinë, te vendkalimi në Bërnjak në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës njoftoi të shtunën se ka dërguar “pajisje logjistike dhe kontejnerë” në vendkalimin kufitar në Bërnjak, të cilat, siç tha, do t’i shërbejnë policisë kufitare.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës “po punon ekskluzivisht në interes të sigurisë së qytetarëve dhe krijimit të një ambienti të sigurt”.

Vuçiqi të dielën, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se ushtria serbe e ka njoftuar KFOR-in për gjithçka dhe se ai është në kontakt të përditshëm me serbët nga veriu i Kosovës.

“Ne nuk duam të pajtohemi me lojën e tyre të provokimeve. Ata nuk janë Zoti e di se çfarë pushteti, por ne duhet të ikim nga provokimet, sepse ne jemi në gjendje të përparojmë më shpejt se të tjerët”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se autoritetet në Serbi, siç tha ai, do të jenë edhe më të buta.

“... për të ruajtur paqen, sepse atëherë ekonomia jonë po rritet më shpejt dhe kjo është një udhëzues për të ardhmen dhe gjëja më e rëndësishme për ne”, tha Vuçiq.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha të shtunën se “aksioni i fundit policor në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet e vlefshme”.

Qëllim i këtij aksioni, sipas saj, është “provokimi i rrezikshëm” dhe “destabilizimi i situatës në terren”.

Dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës - Jarinja dhe Bërnjaku – ishin bllokuar nga serbët lokalë për dy javë në shtator të vitit të kaluar.

Kjo ndodhi për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Kosova dhe Serbia më pas gjetën një zgjidhje të përkohshme nëpërmjet Bashkimit Evropian.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG