Ndërlidhjet

Vuajtjet e nënave në Gazë që i ndau lufta nga foshnjat e tyre


Trinjaket Najmeh (majtas), Najoua (në mes) and Noor, duke luajtur në kopshtin për fëmijë brenda spitalit Al-Maqased, në lindje të Jerusalemit. Nëna e tyre i ka parë vetëm orën e parë pas lindjes dhe është detyruar të kthehet në Gazë. Fotografi e 31 korrikut 2024.
Trinjaket Najmeh (majtas), Najoua (në mes) and Noor, duke luajtur në kopshtin për fëmijë brenda spitalit Al-Maqased, në lindje të Jerusalemit. Nëna e tyre i ka parë vetëm orën e parë pas lindjes dhe është detyruar të kthehet në Gazë. Fotografi e 31 korrikut 2024.

AFP

Hanane Bayouk, grua me prejardhje nga Gaza, frikësohet do të vdesë pa i parë trinjaket e saj të lindura në Jerusalem, para se të niste lufta.

Kjo 26-vjeçare është detyruar të kthehet në territorin palestinez pasi i ka lindur tri vajzat, Najoua, Nour dhe Najmeh, më 24 gusht 2023, për shkak të skadimit të lejes izraelite të udhëtimit.

Bayouk e ka siguruar një leje për t’u larguar nga Gaza dhe për të lindur në spitalin Al-Maqased në pjesën lindore të Jerusalemit, pas procedurave të dhimbshme të fekondimit artificial (IVF), me të cilat është përballur shtatë vjet.

Ajo ka arritur t’i shohë vajzat e saj nëpër inkubatorë “një orë e gjysmë”, dhe më pas është kthyer në Gazë, meqë leja i ka skaduar dhe spitali i ka kërkuar të largohet.

Bayouk ishte supozuar të kthehej në fillim të tetorit në Jerusalem, pasi supozohej se vajzat e saj do të kalonin kohë të mjaftueshme nëpër inkubatorë, të cilët kanë munguar në masë të madhe në Gazë, edhe para nisjes së luftës Izrael-Hamas, që ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

‘Larg prej luftës’

Dy ditë pasi ka aplikuar për leje të re, më 5 tetor, komandantët e Hamasit kanë depërtuar nëpër pikën e vetme hyrëse prej Gazës në Izrael, në Erez.

Pasi kanë hyrë në Izrael, militantët kanë kryer një sulm të pashembullt, duke vrarë 1.200 persona. Militantët i kanë marrë peng 240 persona tjerë.

Fushata ushtarake e Izraelit, si hakmarrje ndaj sulmit të Hamasit, ka rezultuar me mbi 40.000 palestinezë të vrarë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut beson se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Sikurse Bayouk, Heba Idriss, është bllokuar nga lufta dhe pa asnjë mundësi që të kthehet në Jerusalem për t’u bashkuar me vajzën e saj të vetme, Saidan, e lindur para kohe në spitalin Maqased, dy muaj para luftës.

Kjo 27-vjeçare kishte shpresuar që ta kthente vajzën te shtëpia e saj dhe bashkëshortit në Shujaiya, në veri të Rripit të Gazës.

Mirëpo, çifti është detyruar të shpërngulet nëntë herë nga sulmet ajrore izraelite apo urdhrat për evakuim, dhe burri i saj Saleh e ka parë të bijën, Saida, vetëm në fotografi.

“Dua ta shoh vajzën time, vuaj aq shumë që jam ndarë prej saj”, ka thënë ajo me sy të përlotur.

Edhe Hanane Bayouk është detyruar të largohet prej shtëpisë së saj dhe tani jeton në një kamp të personave të zhvendosur në jug të Izraelit, dhe ndan një tendë me shtatë anëtarë të familjes së bashkëshortit.

“Kjo më çmend. Kam vuajtur aq shumë për të qenë shtatzënë dhe tani po qaj gjithë kohën”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP, në njërën prej ditëve të rralla kur kanë funksionuar linjat telefonike.

“Ndonjëherë mendoj që do të dëshiroja t’i ktheja vajzat në Gazë para se të vdesë, sepse nuk i putha kurrë, mirëpo më pas i them vetes që është më mirë që janë të sigurta dhe larg luftës”, ka thënë ajo.

Një infermiere duke u kujdesur për Noor-in, njërën prej trinjakeve të Hanane Bayoukut. Fotografi e 31 korrikut 2024.
Një infermiere duke u kujdesur për Noor-in, njërën prej trinjakeve të Hanane Bayoukut. Fotografi e 31 korrikut 2024.

Në spitalin Maqased, drejtori i njësisë së kujdesit intensiv neonatal, Hatem Khammach, ka thënë se në kushte normale, ata nuk do të kishin pasur hapësirë për t’i mbajtur trinjaket për kohë kaq të gjatë.

‘Qaj vazhdimisht’

Numri i grave që kanë lindur në këtë spital ka rënë ndjeshëm, pasi Izraeli nuk lëshon më leje udhëtimi për nënat nga Gaza, dhe e ka zvogëluar numrin e lejeve të udhëtimit për nënat që janë në Bregun Perëndimor.

Meqë hyrje-daljet janë kufizuar në masë të madhe, edhe ato gra që kanë leje udhëtimi, e kanë shumë të vështirë që të kontrollohen te një specialist në Jerusalem.

“Para luftës, ne kemi pasur shtatë apo tetë nëna prej Gazës që kanë lindur brenda ditës në departamentin tonë, i cili ka kapacitet për 30 foshnje njëkohësisht”, ka thënë Khammach.

Që nga tetori, asnjë nuk ka ardhur, “dhe shumë persona të sëmurë nga Bregu Perëndimor, nuk po të mund të vijnë te ne”.

Mirëpo, punëtorët e spitalit vazhdojnë të jenë të zënë, pasi ua mundësojnë nënave, sikurse Bayouk, që të flasin me foshnjat e tyre nëpërmjet telefonit.

“Burri im nuk mundet. Unë flas, por qaj vazhdimisht pasi mbyll telefonin. Frikësohem që vajzat e mia do të rriten pa më njohur mua”, ka thënë Bayouk.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG