Ndërlidhjet

Guvernatori taliban i provincës afgane vritet në një shpërthim me bombë


Provinca e Balkh, Afganistan.
Provinca e Balkh, Afganistan.

Guvernatori taliban i provincës Balkh të Afganistanit u vra në një shpërthim në zyrën e tij më 9 mars, thanë zyrtarët.

“Mohammad Dawood Muzammil, guvernatori i Balkhut, është vrarë në një shpërthim këtë mëngjes”, tha për shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë, Asif Waziri, zëdhënës i policisë talibane nga kjo provincë.

Ai bëri të ditur se edhe dy persona të tjerë u vranë në këtë sulm dhe dy u plagosën. Shkaku i shpërthimit nuk u bë i ditur menjëherë.

Disa raporte të mediave lokale thanë se më shumë se 30 njerëz u plagosën nga shpërthimi dhe u dërguan në spital për trajtim.

Zëdhënësi i qeverisë së udhëhequr nga talibanët, Zabihullah Mujahid, shkroi në Twitter se Muzammil ishte "martirizuar në një shpërthim nga armiqtë e Islamit" dhe tha se janë hapur hetimet për sulmin.

Muzammil është një nga zyrtarët e rangut më të lartë taliban që është vrarë që kur ata u kthyen në pushtet, në gusht të vitit 2021.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani, por pas kthimit në pushtet në vitin 2021, talibanët janë shënjestruar nga Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), një fraksion i organizatës terroriste Shtetit Islamik që është shfaqur si rivali kryesor i talibanëve në luftë.

Mullah Mohammad Daud Muzamil
Mullah Mohammad Daud Muzamil

Muzammil ishte emëruar guvernator i Balkhit vitin e kaluar pasi mbajti të njëjtin pozitë në provincën lindore Nangarhar, ku ai koordinoi një goditje ndaj militantëve të IS-K.

IS-K ka organizuar disa sulme në Afganistan kohët e fundit, duke përfshirë një në janar, në të cilin një sulmues vetëvrasës vrau të paktën 10 persona pranë Ministrisë së Jashtme në Kabul.

Muajin e kaluar, forcat e sigurisë talibane pretenduan se kishin vrarë dy anëtarë të lartë të IS-K.

Qari Fateh, shef rajonal i inteligjencës dhe operacioneve të IS-K, u vra së bashku me një tjetër anëtar në një bastisje në Kabul më 27 shkurt, tha qeveria e udhëhequr nga talibanët.

Një tjetër udhëheqës i lartë i IS-K, Ijaz Amin Ahingar, thuhet se u vra në një bastisje të mëparshme në Kabul.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG