Ndërlidhjet

Vriten dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë në Kabul


Dhjetëra të vrarë në Kabul
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:39 0:00

Dy sulme të koordinuara vetëvrasëse në Kabul vranë së paku 29 persona, përfshirë dy korrespondentë të Radios Evropa e Lirë dhe së paku pesë gazetarë të tjerë.

Policia tha se së paku 45 veta janë plagosur dhe paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.

Përgjegjësinë për sulmet e mori grupi militant Shtetit Islamik.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se njëri sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në lagjen Shash Darak, pranë ndërtesave të shërbimeve të inteligjencës.

Sulmi i dytë ka ndodhur 20 minuta më vonë, kur një sulmues vetëvrasës, duke pretenduar se është gazetar, ka hedhur veten në erë jashtë Ministrisë për Zhvillim Urban, ku kanë qenë të mbledhur gazetarë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë Abadullah Hananzai dhe Sabawoon Kakar janë në mesin e shtatë pjesëtarëve të mediave të vrarë në sulmin e dytë.

Agjencia AFP e identifikoi Shah Marain, fotograf i kësaj agjencie në Kabul, si gazetar tjetër të vrarë.

Gazetarja tjetër e vrarë, Maharram Durrani, ka qenë në trajnim në Radion Evropa e Lirë dhe ka qenë e planifikuar t'i bashkohet institucionit më 15 maj.

Sabawoon Kakar dhe Abadullah Hananzai
Sabawoon Kakar dhe Abadullah Hananzai

AP citoi zëdhënësin e policisë në Kabul, Hashmat Stanekzai, të ketë thënë se katër policë janë vrarë në të dyja shpërthimet.

​Në një deklaratë të lëshuar përmes agjencisë së tij të lajmeve Amaq, Shteti Islamik tha se luftëtarët e tij i kanë kryer sulmet.

Ato ndodhin vetëm pak ditë pasi militantët talibanë kanë nisur një ofensivë të re, duke refuzuar thirrjet e Qeverisë afgane për bisedime për paqe.

​“I dënojmë në termat më të fuqishëm sulmet e sotme frikacake në Kabul, të cilat kanë lënë të vrarë dhe të plagosur forca afgane dhe qytetarë të pafajshëm afganë, përfshirë gazetarë afganë”, tha përmes një deklarate John Nicholson, komandant i forcave të SHBA-së dhe të NATO-s në Afganistan.

“Armiqtë e Afganistanit nuk mund të fitojnë. Veprimet si këto vetëm se forcojnë përkushtimin tonë të palëkundur ndaj popullit të Afganistanit”, tha Nicholson.

Shefi i policisë në Kabul, Dawood Amin, tha se zona pranë sulmeve, që përfshin shumë zyra të huaja, është mbyllur dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.

Rreth një javë më parë, një sulm vetëvrarës ka vrarë 60 veta dhe plagosur së paku 120 të tjerë në një qendër për regjistrim të votuesve në Kabul.

Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë edhe për këtë sulm, që ka ndodhur më 22 prill në lagjen Dashte Barçi, zonë e populluar me shiitë.

Grupi militant sunit sulmon shpesh pakicën shiite të Afganistanit, pasi e konsideron si femohuese.

Qeveria në Kabul lufton edhe militantët talibanë, të cilët janë rrëzuar nga pushteti nga një pushtim i udhëhequr nga SHBA-ja 17 vjet më parë.

*Ky artikull është korrigjuar për të sqaruar bashkëpunimin e gazetares Maharram Durrani me Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG