Një grua ka mbetur e vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasditen e 12 prillit, konfirmoi Policia e Kosovës.
Dorasi dyshohet se ishte partneri i viktimës.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për Radion Evropa e Lirë se gruaja, e identifikuar me inciale, E.C, 21 vjeçe, ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq është plagosur edhe D.C, 15 vjeç.
I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe sipas Veselit është jashtë rrezikut për jetë.
Policia tha se ngjarja ndodhi në orën 14:40 dhe i dyshuari V.A, 36 vjeç, fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por autoritetet arritën ta arrestonin në orën 15:15.
Ai, sipas Prokurorisë Themelore, është dërguar në mbajtje prej 48-orësh, dhe për të do të kërkohet masa e paraburgimit.
Rasti është dënuar nga krerët shtetërorë në Kosovë dhe bartës institucionalë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar vrasjen në Ferizaj, teksa ka bërë thirrje për dënim maksimal për dorasin.
“Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë”, shkroi ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu zemërim për këtë krim, i cili tha se po përsëritet.
"Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje", shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pavarësisht angazhimit të institucioneve, “gratë ende nuk janë të sigurta”.
“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, shkroi Haxhiu në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Policia nuk dha detaje për motivet e kësaj vrasjeje.