Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një burrë 70-vjeçar nën dyshimin se vrau me sëpatë gruan e tij, 63-vjeçare, në shtëpinë e tyre në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes, ku rreth orës 04:40 i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë.
“Në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aktualisht, nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti.
Ngjarja ka ndodhur në ditën kur pritet të nisë fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
- “Nuk njoh grua që nuk është ngacmuar një herë në jetë”
- Qeveria paralajmëron ashpërsimin e ndëshkimeve për krimet seksuale dhe dhunën në familje
Dhuna në familje në Kosovë është në rritje viteve të fundit.
Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje, me 2.101 viktima; në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste me 2.486 viktima.
Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.
Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:
Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999
Mbrojtësit e viktimave: 0800111112
Lexoni edhe: