Ndërlidhjet

A do të ketë ndikim vrasja e udhëheqësit të Hamasit në rrjedhën e luftës në Gazë?


Udhëheqësi i vrarë i Hamasit, Yahya Sinwar.
Udhëheqësi i vrarë i Hamasit, Yahya Sinwar.

Vdekja e Yahya Sinwarit, disa muaj pasi u emërua udhëheqës i Hamasit, vë në pah vështirësitë që grupi palestinez, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka për të mbrojtur nga Izraeli objektivat me vlerë të lartë. Por, vrasja e tij mund të mos ketë ndikim të madh në rrjedhën e luftës në Rripin e Gazës.

Sinwar, 62 vjeç, ishte akuzuar për organizimin dhe drejtimin e sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke e vendosur atë në krye të listës së armiqve të Izraelit.

Izraeli konfirmoi më 17 tetor se Sinwari u vra në një operacion ushtarak në qytetin jugor të Rafahut në Gazë. Hamasi ende nuk ka komentuar.

Vdekja e Sinwarit vë në pah shkallën e lartë të vrasjes së anëtarëve të lartë të Hamasit, por edhe “mbulimit shumë të thellë të Izraelit, në kuptim të inteligjencës dhe aftësisë për të goditur shpejt kur objektivat me vlerë të lartë detektohen”, tha Lucas Webber, analist i lart për kërcënimet në Tech Against Terrorism dhe hulumtues në qendrën Soufan.

Koha kur u vra Sinwari po ashtu është e rëndësishme, tha ai, pasi ndodhi në kohën kur Izraeli po rinovon ofensivën e tij në veri të Gazës dhe po zgjeron operacionet kundër aleatit të Hamasit, Hezbollahut, i cili është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor.

“Shihet si një sukses taktik, vrasja e një zyrtari të lartë në një kohë kur atyre u duhet kjo mbështetje e brendshme për zgjerimin e fushatës së tyre ushtarake të brendshme dhe të jashtme”, tha Webber.

Webber tha se ka dyshime se vdekja e Sinwarit mund të ketë ndikim në dhënien fund të luftës në Gazë.

“Ai [Sinwari] sigurisht që kishte shumë përvojë dhe kishte një status të lartë në mesin e Hamasit dhe mbështetësve të tyre, por nuk mendoj se vrasja e tij do të ndryshojë trajektoren e konfliktit në ndonjë mënyrë thelbësore”, tha Webber.

Sinwar u bë udhëheqës i Hamasit pasi Ismail Haniyeh, shefi politik i grupit, u vra në Teheran më 31 korrik, në një sulm të dyshuar izraelit.

Hamasi ende po lufton një vit pasi Izraeli nisi ofensivën hakmarrëse në Gazë dhe do të jetë vështirë që grupi të mposhtet, theksoi Webber. Vdekja e Sinwarit mund të kërkojë një lloj “riorientimi” nga Hamasi, tha ai, por nuk do të “ketë shumë ndikim” në përpjekjet e Izraelit për të fituar luftën.

Thanassis Cambanis, drejtor i fondacionit Century me bazë në SHBA, tha se është e vështirë të vlerësohet se çfarë ndikimi do të ketë vdekja e Sinwarit në aftësinë e Hamasit për të mbajtur pushtetin në Gazë.

A zhduket dot Hamasi?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:12 0:00

Por, ai tha se sheh dy gjëra që mund të ndodhin si pasojë e vdekjes së Sinwarit.

“Një është që Izraeli të trimërohet që të ndjekë në mënyrë edhe më intensive shkatërrimin e plotë të Hamasit dhe Gazës”, tha ai. “Tjetri opsion, që do të ishte më pozitiv, është se vdekja e tij do të mund të krijonte një mundësi për negociata që do të mund të çonin në përfundimin e luftës”.

Sipas Cambanisit, as Hamasi, e as Izraeli, deri në këtë pikë nuk kanë qenë seriozisht të interesuar që t’i japin fund luftës.

“Të dyja palët e shohin se është në interesin e tyre që të vazhdojnë luftën”, tha ai. “Vdekja e Sinwarit mund të ndryshojë dinamikën, për të mirë, duke krijuar një mundësi për Hamasin që ose të dorëzohet ose të arrijë ndonjë lloj zgjidhjeje të negociuar, gjë për të cilën deri më tani udhëheqja e grupit realisht nuk ka qenë e interesuar”.

Ndërkaq, sa i përket asaj se kush mund ta zëvendësojë Sinwarin, i cili ishte parë si një zëvendësues “i pamëshirshëm” i Haniyehut, Cambanis tha se edhe kjo çështje mund të shkojë në dy drejtime.

“Ne kemi parë që pas periudhave të ekstremizmit intensiv dalin në pah më shumë njerëz pragmatikë dhe po ashtu kemi parë fraksione apo parti, që kur u vritet udhëheqësi, pasardhësi është edhe më i ashpër”, tha ai.

Trita Parsi, bashkëthemelues i Institutit Quincy me bazë në Uashington, paralajmëroi se “ideja pas Hamasit se deri te shtetësia palestineze mund të shkohet vetëm përmes një rezistence të armatosur kundër Izraelit, jo që nuk ka vdekur, por ka gjasa që ka lulëzuar”.

“Bombardimet pa dallim të Izraelit në Gazë dhe vrasja masive e civilëve, përfshirë përmes urisë, ka të ngjarë që ka radikalizuar popullin palestinez dhe ka ofruar më shumë terren për rekrutim për Hamasin”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG