Ndërlidhjet

Tre të arrestuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan


Qytetarët në Deçan nderuan tre personat e vrarë gjatë sulmit ndaj një autobusi më 26 nëntor.
Qytetarët në Deçan nderuan tre personat e vrarë gjatë sulmit ndaj një autobusi më 26 nëntor.

Tre të dyshuar janë arrestuar më 11 dhjetor për vrasjen e tre personave, më 26 nëntor në Gllogjan të Komunës së Deçanit, konfirmoi Prokuroria Themelore e Pejës.

Tre personat u vranë dhe një tjetër u plagos pas sulmit që iu bë një autobusi i cili udhëtonte nga Gjakova drejt Gllogjanit.

Autobusi po bartte nxënës.

Në një konferencë për media në orët e mbrëmjes të së shtunës, Agim Kurmehaj, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se tre të dyshuarve për sulmin u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Kurmehaj shtoi se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të zbulojë më shumë detaje.

“Nuk mund të jap më shumë informata ngase do të dëmtonin procesin e hetimeve. Edhe pas arrestimit do të vazhdojmë me intensitet të shtuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, tha Kurmehaj.

Çfarë ndodhi në Gllogjan?

Mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin, derisa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore, më 29 nëntor konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, pranoi se “hetimet megjithatë nuk ishin të lehta”.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, tronditi Kosovën derisa presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti e cilësuan ngjarjen si "tronditëse" dhe kërkuan nga organet e rendit që t'i zbulojnë sa më parë autorët e krimit.

Deçanasit ndezin qirinj për viktimat në Gllogjan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG