Ndërlidhjet

Vrasja e Khashoggit: CIA “nuk e fajësoi” princin e kurorës


Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se CIA nuk ka konstatuar se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, ka urdhëruar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Khashoggi u vra më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll.

Zyrtarët u thanë mediave amerikane se një operacion i tillë do të kishte nevojë për miratimin e princit, por Arabia Saudite e mohon përfshirjen e tij.

Sipas Riadit, Khashoggi u vra gjatë një operacioni të marrjes në pyetje që ka shkuar keq.

“Ata nuk e konstatuan”, tha Trump kur u pyet për vlerësimin e CIA-s nga gazetarët në Mar-a-Lago në Florida.

“Unë e kam raportin. Ata nuk e konstatuan. Nuk e di nëse dikush do të mund të konstatojë se princi e ka bërë një gjë të tillë”, tha Trump.

Ai i bëri komentet derisa princi saudit i kurorës nisi një turne rajonal në Lindjen e Mesme – duke filluar me Emiratet e Bashkuara Arabe. Është ky udhëtimi i parë i tij që nga vrasja e Khashoggit.

Bin Salman po ashtu pritet të marrë pjesë në një takim të G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në fund të muajit në Argjentinë dhe do të ndiqet nga udhëheqës nga SHBA-ja, Turqia dhe një numër vendesh evropiane.

Franca, ndërkohë, tha se ka vendosur sanksione kundër 18 shtetasve sauditë, të dyshuar për lidhje me vrasjen e Khashoggit. Të njëjtit janë sanksionuar edhe nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.

Lista e individëve nuk e përfshin princin e kurorës, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Francës.

Këtë javë, Trump po ashtu lëshoi një deklaratë, duke sugjeruar se princi i kurorës mund të ketë ditur “shumë mirë” për incidentin, por shtoi: “ndoshta po, ndoshta jo”.

Presidenti vazhdimisht e ka theksuar rëndësinë e Arabisë Saudite për SHBA-në, duke e quajtur atë “partner të palëkundur”.

Më 17 nëntor, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, u tha gazetarëve se Trump ka besim te CIA, pas bisedave me drejtoren e saj, Gina Haspel, dhe sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, pas vrasjes së Khashoggit.

Të enjten, gazeta turke Hurriyet raportoi se Haspel u ka thënë zyrtarëve turq muajin e kaluar, se CIA ka një incizim, ku princi i kurorës jep udhëzime për të “heshtur” gazetarin saudit sa më shpejt që është e mundur.

I pyetur nga gazetarët në Florida për këtë raportim, presidenti Trump tha: “Nuk dua të flas për këtë. Duhet t’i pyesni ata”.

Khashoggi, për dekada, ka qenë i afërt me familjen mbretërore saudite dhe ka shërbyer edhe si këshilltar për qeverinë.

Por, në vitet e fundit, ai thuhet se ka pasur mospajtime me princin dhe ka migruar në SHBA, më 2017. Atje, ai ka shkruar për gazetën Washington Post, duke kritikuar politikat e princit Bin Salman.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG