Hilmi Gashi nga komuna e Prizrenit jeton që 32 vjet në Zvicër. Ndonëse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar jashtë vendlindjes, ai ka qenë gjithmonë i interesuar për ngjarjet politike në Kosovë. Vullneti për të votuar në zgjedhjet e Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë, por ka hasur në vështirësi për ta ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.
Dy herë gjatë zgjedhjeve në Kosovë ai nuk është lejuar të votojë, për çka edhe është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por asnjëherë nuk ka marr përgjigje.
Për shkak të këtyre problemeve në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 ai udhëtoi për në Kosovë, për ta ushtruar të drejtën e tij të votës.
Gashi po ashtu kritikon edhe procedurat burokratike te Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për diasporën e Kosovës.
“Është diçka e pakuptueshme që i bëjnë afatet kaq të shkurtra dhe presin prej njerëzve që të aplikojnë me kohë. Njerëzit aplikojnë me kohë, por dokumentacioni iu vjen me vonesë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Gashi e sheh dekurajues edhe vendimin e KQZ-së që t’i verifikojë përmes telefonit të gjithë ata persona që ndodhen jashtë Kosovës, e që kanë aplikuar për të ushtruar këtë të drejtë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Këtë vendim e sheh si problematike pasi, sipas tij, ka shumë kompani në Zvicër, ku punëtorët nuk lejohen të përdorin telefonin gjatë orarit të punës.
“Motra ime që punon në një ndërmarrje, ajo në mëngjes në ora 06:00 në gardërobe e dorëzon telefonin. Ajo nuk ka tërë ditën qasje në telefon”, tregon ai.
Pikërisht këtë problematikë e ngritë edhe Muhamet Idrizi nga Shoqata ‘Oda’ në Gjermani. Ai punon si mësimdhënës në shtetin gjerman dhe qasja në telefon gjatë orarit të punës, për të, është pothuajse e pamundur.
“Nëse KQZ-ja vendos që në orar të punës të më kontaktoj, unë prej orës 08:00 deri në ora 17:00 jam në shërbim në shkollë dhe nuk kam të drejtë ta përdori telefonin si shumica e njerëzve që punojnë. Këtu nuk është e qartë se a mundem unë më pas ta kontaktoj KQZ-në dhe t’i them që më keni thirr, por nuk kam mundur (të përgjigjem), por a mundeni të ma verifikoni të drejtën”, thotë Idrizi.
Artistja Vjollca Robelli-Mripa që jeton në Londër tash e 16 vjet, problematikë e sheh edhe identifikimin e votuesit potencialë vetëm përmes telefonit.
“Nuk besoj që është e logjikshme sepse nëse KQZ-ja telefonon dhe ti nuk je afër telefonit, atëherë si të humbet e drejta që të identifikohesh se je personi që do të votosh? Në të njëjtën kohë, nuk e di se si përmes një telefonate mund të bësh identifikimin e një personi, kur ka mënyra të tjera të identifikimit”, shprehet ajo.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur me shtatë vota pro, dy kundër dhe dy abstenime lidhur me procesin e verifikimit të aplikacioneve për votuesit jashtë Kosovës. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka treguar që votuesit që regjistrohen do të telefonohen tri herë për t’u verifikuar.
Ky vendim i KQZ-së është apeluar nga organizata joqeveritare Germin, që merret me çështje të diasporës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, këtë vendim e ka hedhur poshtë PZAP-i. Germin të premten, më 15 janar, ka apeluar kundër këtij vendimi në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Ndryshe, regjistrimi për votim jashtë Kosovës ka filluar më 13 janar dhe do të zgjatë deri më 21 janar.
Facebook Forum