Ndërlidhjet

Partitë, hezituese ndaj votimit biometrik


Ilustrim.
Ilustrim.

Në Maqedoninë e Veriut, duke nisur nga zgjedhjet lokale në tetor, pritet të zbatohet votimi biometrik apo përmes shenjave të gishtave. Për këtë është miratuar rregullativa ligjore, por ende nuk janë siguruar pajisjet e nevojshme, për çka nevojiten disa ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhjet të shtyhen për të paktën një muaj, nëse partitë nuk miratojnë ndryshimet e nevojshme.

“Nëse grupi punues bie dakord deri në fund të marsit apo fillim të prillit, votimi përmes gjurmëve të gishtave mund të zbatohet. Nuk ka asnjë alternativë tjetër, pasi kjo formë e votimit është e detyrueshme me ligj. Nëse palët nuk bien dakord për ndryshimet e nevojshme, zgjedhjet do të shtyhet për një muaj”, ka deklaruar Dashtevski.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka thënë se vonesat në miratimin e ndryshimeve kanë të bëjnë me disa dilema nga partitë të caktuara për atë nëse sistemi është i gatshëm për një proces të ndërlikuar zgjedhor.

“Mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me performancën e tërë procesit, gatishmërinë e sistemit për zbatimin e tij dhe ditën e zgjedhjeve që të jemi të sigurt se i gjithë procesi do të jetë i suksesshëm, që të gjithë të jenë të kënaqur dhe askush të mos kontestojë rezultatet”, ka deklaruar ministri Mariçiq.

Partitë kanë zhvilluar disa takime lidhur me ndryshimet e radhës që duhet të bëhet, por ende nuk kanë një marrëveshje konkrete, ndërkohë që nga Ministria e Financave kanë siguruar se ka mjete në buxhet për blerjen e pajisjeve të nevojshme.

Opozita shqiptare ka kërcënuar me bojkot të zgjedhjeve nëse forma e re e votimit nuk zbatohet në zgjedhjet lokale.

Subhi Jakupi, ish-nënkryetar i KSHZ-së, thotë për Radion Evropa e Lirë, se votimi përmes identifikimit biometrik apo përmes gjurmëve të gishtave i njohur si “fingerprint”, eliminon mundësinë e keqpërdorimit të votave, votimin familjar apo votimin për persona të tjerë. Ai thotë se KSHZ-ja duhet të angazhohet për zbatimin e kësaj forme të re të votimit.

“Është një votim që ofron besueshmëri në procesin zgjedhor, parandalon votimin familjar dhe votimin për persona tjerë. Rregullativa ligjore për një votim të tillë është në fuqi dhe duhet ë zbatohet në zgjedhjet e ardhshme. Unë mendoj se KSHZ-ja si institucion përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, në bashkëpunim me institucionet tjera që duhet të japin të dhënat, duhet të punojë dhe të sigurojë aparaturën e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme”, thotë Jakupi.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se votimi përmes identifikimit biometrik apo gjurmëve të gishtave është lehtë i zbatueshëm, por për këtë mungon vullnet politik, meqë sipas tij, kjo formë e votimit pamundëson keqpërdorimet zgjedhore.

“Mendoj se është çështje e lehtë, por duhet të ketë vullnet politik. Në Maqedoninë e Veriut deklarativisht ka vullnet politik, por në esencë ka amortizim dhe pengesa për të mos ecur përpara. Mendoj se pak a shumë kjo është një çështje që ka të bëjë me mentalitetin që politikanët e kanë në masë të madhe në Maqedoninë e Veriut… Nëse rregullohet çështja që të kemi votim biometrik, kuptohet se kjo e parandalon keqpërdorimin dhe nxjerr në sipërfaqe një element të ri, pasi nuk do të mund të kalojnë kandidatët në mënyrën përmes të cilës kanë kaluar deri më sot”, thotë Sinani.

Ai shton se institucionet dhe partitë politike përfundimisht duhet të heqin dorë nga praktika e deritanishme e veprimit, apo siç thotë Sinanani, të manipulimit të zgjedhjeve dhe caktimit të kandidatëve sipas dëshirës së tyre.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, qofshin lokale, parlamentare apo presidenciale, në vazhdimësi kanë qenë objekt i përplasjeve mes partive politike, të cilat gjithmonë kanë kontestuar rezultatin zgjedhor.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG