Ndërlidhjet

Presidentja pro-perëndimore e Moldavisë del në epërsi të lehtë në garën për mandat të dytë


Presidentja pro-evropiane e Moldavisë, Maia Sandu.
Presidentja pro-evropiane e Moldavisë, Maia Sandu.

Presidentja pro-evropiane e Moldavisë, Maia Sandu, ka dalë në epërsi në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në garën kundër Alexandr Stoianoglo, figurë e përshkruar si e afërt me Moskën.

Megjithatë, votat nga diaspora pritet të jenë vendimtare për të shpallur emrin e fituesit.

Pas numërimit të 92 për qind të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se Sandu ka fituar 50.02 për qind të votave, ndërsa Stoianoglo 49.98 për qind.

Kjo nënkupton se Sandu udhëheq me rreth 700 vota.

Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 21:00, sipas kohës lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se mbi 54 për qind e banorëve me të drejtë vote kanë dalë në votime, më shumë sesa në rundin e parë, dhe në zgjedhjet e vitit 2020.

Presidentja aktuale, Maia Sandu e ka fituar rundin e parë të zgjedhjeve, më 20 tetor, me 42 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i saj Alexandr Stoianoglo, ish-Prokuror i Përgjithshëm, ka siguruar 26 për qind të votave.

Ai gëzon mbështetjen e Partisë Socialiste të Moldavisë, parti pro-ruse.

Në komentet para gazetarëve pasi ka votuar, Sandu ka thënë se ka votuar “për Moldavinë”.

“Hajnat duan të blejnë votën tonë, duan të blejnë shtetin tonë, mirëpo forca e njerëzve është më e madhe sesa dashakeqësia e tjerëve”, ka thënë ajo.

Këto votime janë mbajtur teksa rriten akuzat për ndërhyrje ruse, si në garën presidenciale, ashtu edhe për referendumin për integrimin potencial të Moldavisë në Bashkimin Evropian – rrugëtim që Sandu e mbështet fort.

Bindjet pro-Bashkimit Evropian kanë dalë të parat në referendumin e mbajtur ditë më parë, ndonëse rezultati ka qenë i ngushtë, me 50.38 për qind e votave pro.

Mirëpo, Sandu është deklaruar shpejt, duke thënë se “grupet kriminale, bashkë me forcat e huaja”, kanë tentuar të blejnë “300.000 vota”, duke e bërë rezultatin përfundimtar shumë të ngjashëm me parashikimet para votimeve.

Moldavia i ka 3.02 milionë votues të regjistruar, përfshirë ata të diasporës.

Votuesit në Perëndim është thënë të kenë ndihmuar që në referendum të fitojë qasja pro-Bashkimit Evropian.

Ndonëse pozita e presidentit është goxha ceremoniale në Moldavia, personat që janë në krye të shtetit kanë ndikim të konsiderueshëm politik.

Një president mund të shërbejë në këtë vend për dy mandate radhazi.

Sandu, 52-vjeçare, është e diplomuar nga universitetin amerikan Harvard dhe ish-punonjëse e Bankës Botërore.

Ajo është bërë gruaja e parë presidente e Moldavisë, më 2020, me zotimet për ta drejtuar vendin kah blloku evropian dhe për të luftuar korrupsionin.

Mirëpo, mbështetja për të mund të jetë lëkundur gjatë mandatit të parë, pasi ekonomia është goditur ashpër nga pandemia e koronavirusit, si dhe janë rritur tensionet me Rusinë.

Stoianoglo, 57-vjeçar nga Gaguzia – rajon autonom i Moldavisë me sentiment pro-rus – ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Moldavisë në periudhën 2019-2021.

Ai ka bërë fushatë me fokus në sundim të ligjit, ndonëse kritikët kanë thënë se ai ka dështuar që të merret me korrupsion të nivelit të lartë sa ka qenë prokuror.

Stoianoglo pretendon se nuk ka lidhje politike, dhe hedh poshtë akuzat se është “njeri i Moskës”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG