Ndërlidhjet

Von der Leyen: Marrëveshja Kosovë-Serbi, hap pozitiv


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se e mirëpret marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Ky është një hap shumë pozitiv” dhe “i mirë për të gjithë rajonin”, shkroi von der Leyen në Twitter.

Ajo ndodhet në një turne në Ballkanin Perëndimor, ku sot takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më herët në Prishtinë, von der Leyen takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi, ajo tha se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Që nga 20 shtatori, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo ka ndodhur pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët e makinave me targa të Serbisë, t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme derisa vozisin në Kosovë.

Masa të ngjashme për makinat me targa të Kosovës, Serbia ka zbatuar tash e sa vite.

Për të mbikëqyrur procesin, Kosova ka dërguar në veri edhe njësitë speciale policore.

Me marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel, serbët do t’i heqin bllokadat, njësitë speciale të policisë do të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku, ndërsa në targa të të dyja palëve do të vendosen përkohësisht letra ngjitëse.

Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG