Ndërlidhjet

Shefja e BE-së: Përparimi i Ukrainës drejt anëtarësimit është "në rrugën e duhur"


Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.a
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.a

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha gjatë vizitës së saj në Kiev, më 15 shtator, se përparimi i Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është "në rrugën e duhur".

Kjo është hera e tretë që Von der Leyen viziton Kievin, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Ajo tha se është e impresionuar me shpejtësinë me të cilën Ukraina po vazhdon përpjekjet e saj për t'iu bashkuar BE-së.

"Procesi i pranimit është në rrugën e duhur. Është mbresëlënëse të shohësh shpejtësinë, vendosmërinë, saktësinë me të cilën po përparoni", tha von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas tha se është “i sigurt se [anëtarësimi] do të ndodh dhe kjo do të jetë një nga fitoret më të rëndësishme të vendit tonë”.

Ai tha se Ukraina dëshiron t'i bashkohet tregut të përbashkët evropian.

Ukraina është bërë kandidate për anëtarësim në BE, në muajin qershor, hap që Moska beson se ka qenë përpjekje e Perëndimit për të izoluar Rusinë në nivel botëror, pas nisjes së sulmit të paprovuar në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Shumica e vendeve të BE-së kanë mbështetur Ukrainën prej nisjes së luftës, si dhe e kanë goditur Rusinë me disa valë të sanksioneve ekonomike.

Shumë vende anëtare të bllokut evropian i kanë dhënë Kievit armë të avancuara, të cilat i kanë ndihmuar ushtrisë ukrainase që të rikthejë kontrollin mbi territoret që i ka pushtuar Rusia pak pas nisjes së luftës.

Zelensky, i cili më 14 shtator ka vizituar zonat e rikthyera nga ushtria ukrainase, ka thënë se rajonet që ka parë, janë shkatërruar rëndë nga forcat ruse.

Në fillim të muajit shtator, ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë për të rikthyer kontrollin e territoreve të pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria ukrainase kontrollon mbi 6.000 kilometra katrorë në rajonin e Harkivit dhe tani fokusi është te rajonet lindore.

Autoritetet ruse kanë thënë se forcat e tyre janë tërhequr nga rajonet e Harkivit për t’u përforcuar në rajonin e Donbasit.

Mirëpo ekspertët besojnë se Rusia ka dhënë arsyetim të ngjashëm edhe kur është tërhequr nga rajonet e Kievit në muajin mars.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG