Ndërlidhjet

Zelensky: Kievi nuk po sulmon territorin rus


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Berlin, 14 maj 2023.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Berlin, 14 maj 2023.

Ukraina nuk ka plane që të godasë caqe në Rusi, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, shtet që i dha Kievit një pako të madhe të ndihmës ushtarake.

“Ne nuk po e sulmojmë territorin rus”, tha ai pas takimit në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Ne po përgatitemi për një kundërsulm për të çliruar territoret e pushtuara ilegalisht”, shtoi Zelensky.

Scholz u zotua se do ta mbështesë Ukrainën “për aq sa të jetë e nevojshme”, duke përmendur edhe paketën e fundit të ndihmës ushtarake në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh.

Zelensky tha se kjo paketën e ndihmës është “më e madhja që nga nisja e agresionit në shkallë të gjerë” nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Zelensky udhëtoi drejt Gjermanisë, pasi një ditë më parë zhvilloi vizitë zyrtare në Itali.

Gjatë ditës, Zelensky është takuar me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ai po ashtu pritet të udhëtojë në qytetin Açen, për të pranuar çmimin prestigjioz Charlemagne.

Një ditë para se Zelensky të udhëtonte drejt Gjermanisë, Berlini njoftoi për paketën e re të ndihmës që përfshin tanke, sisteme kundërajrore dhe municione.

Në pakon e ndihmës përfshihen 20 makina të këmbësorisë, Marder, 30 tanke Leopard 1, 15 tanke kundërajrore Gepard, 200 dronë vëzhgues, katër sisteme kundërajrore Iris-T dhe municione, municione shtesë për artilerinë dhe mbi 200 makina luftarake dhe logjistike.

Gjermania është kritikuar nga shumë në Ukrainë, për shkak të ngurrimit që të dërgojë në Kiev armatime të rënda. Paketa e re do të jetë paketa më e madhe që Berlini i dërgon Kievit që kur nisi pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje për dërgim të shpejtë të paketës së ndihmës, pasi Kievi po përgatitet për një kundërofensivë të madhe.

Më 13 maj, ai mori pjesë në takimin në Suedi me homologët e tij nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe tha se Ukraina gjithmonë ka nevojë që armatimet t’i dërgohen shumë shpejt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG