Komediani televiziv, Volodymyr Zelenskiy duket se do të shënojë fitore të sigurt ndaj presidentit aktual Petro Poroshenko në Ukrainë.
Ky rezultat njëherësh është konsideruar si qortim i ashpër i politikës së deritashme të Ukrainës, meqë ky shtet po përballet me probleme ekonomike si dhe konflikt me Rusinë rreth Gadishullit të Krimesë.
Pas 95 për qind të votave të numëruara, Zelenskiy ka fituar 73,2 për qind të votave në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura të dielën, në krahasim me 24.5 për qind të votave që kanë shkuar për miliarderin 53-vjeçar, Poroshenko.
Zelenskiy e ka përshkruar veten gjatë kandidaturës si “njeri të thjeshtë që do të shkatërrojë këtë sistem”, duke iu referuar kështu pikëpamjeve se politika e Ukrainës është e përfshirë nga korrupsioni dhe nepotizmi.
Poroshenko në anën tjetër, i cili ka pranuar rezultatin pak pas publikimit të shifrave të para, e ka cilësuar veten si kandidat me aftësi për t’u përballur me agresionin rus.
“Dua të them se jam shumë falënderues ndaj presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, i cili sapo më ka uruar fitoren”, ka thënë Zelenskiy në një konferencë për media.
“E falënderoj atë. Ai më ka thënë se mund t’i drejtohem për ndihmë. Ai e ka pranuar fitoren time dhe të ekipit tim”, është shprehur ndër të tjera ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka përgëzuar Zelenskiyn dhe fitoren e tij të pritur, ashtu sikurse presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.
E përditshmja ukrainase, Ukrainska Pravda ka raportuar se presidenti amerikan, Donald Trump ka biseduar përmes telefonit me Zelenskiyn për t’i uruar fitoren.
Zelenskiy ka thënë se synon të sjellë “njerëz të rinj” në politikën ukrainase, duke thënë se do t’i kërkojë ndihmë Poroshenkos, nëse ka nevojë.
Sipas tij, prioritet i presidencës do të jetë lirimi i të gjithë të burgosurve ukrainas që gjenden në Rusi, si dhe të rifillojë procesin e Minskut për të zgjidhur konfliktin në disa pjesë në lindje të Ukrainës.
“Detyra jonë e parë është lirimi i të burgosurve tanë”, ka thënë ai.
“Unë do të bëj gjithçka që t’i kthejmë djemtë tanë në shtëpi. Të gjithë të burgosurit, pa përjashtim”.
Pak para se të bëheshin publike rezultatet e para, Zelenskiy është parë në selinë e fushatës së tij, duke buzëqeshur ndërkohë që është dëgjuar kolona zanore e emisonit të tij të famshëm televiziv, në të cilin ai luan një mësues që aksidentalisht bëhet president.
Ai do të jetë presidenti i gjashtë ukrainas, prej kur ky shtet ka shpallur pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjektik më 1991.
“Faleminderit të gjithëve”, ka thënë ai para mbështetësve.
“Ne e kemi bërë këtë së bashku. Ju premtoj se nuk do t’iu braktis asnjëherë. Dhe meqë ende nuk jam president, unë mund të flas si ukrainas: Le të na shoh gjithë ish-Bashkimi Sovjetik dhe të shohë se gjithçka është e mundur”.
Votuesit ukrainas duhet se kësaj here nuk janë bindur nga kërkesat e Poroshenkos për një mandat të dytë pesëvjeçar, për të sjellur një frymë të re politike në këtë shtet.
Në fjalimin e tij pas shpalljes së rezultateve të para, Poroshenko është zotuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e politikës.
“Në cilindo rol politik, unë do ta bëj më të mirën për të luftuar revanshizmin dhe do të sigurohem se Ukraina nuk do të ndryshojë qasjen e saj”, ka thënë ai.
“Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve na lë në një situatë të paqartë, të paparashikueshme dhe me një pikëpyetje të madhe nëse Ukraina do të ketë strategji të sigurt ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe nëse reformat do të vazhdojnë të zbatohen”.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje komuniteti ndërkombëtar që “t’i ndihmojë Ukrainës.
“Ju lutem qëndroni me Ukrainën, pavarësisht çfarë mund të ndodhë”, ka thënë ai.
Pesë vjet prej kur ish-presidenti pro-rus, Viktor Yanukovych është larguar nga pushteti, pas protestave në rrugë, Ukraina është afruar me Bashkimin Evropian me shpresën se do të rikthejë stabilitetin e shtetit.
Fitore e sigurt e Zelenskiyt
Zelenskiy ka fituar shumicën e votave në gjithë shtetin.
Ai pati fituar 30 për qind të votave në rrethin e parë të zgjedhjeve më 31 mars, teksa ka garuar me 39 kandidatë tjerë.
Poroshenko pati fituar 16 për qind të votave.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, se nëse zgjedhet president, cili do të jetë synimi i tij i parë sa u përket çështjeve biznesore, Zelenskiy pati thënë: Lufta dhe korrupsioni.
Sipas sondazheve, votuesit do të jenë në pritje gjatë muajve të ardhshëm për ndryshime dramatike.
Jashtë Akademisë, Maritime, ku ka votuar Zelenskiy të dielën, Kateryna Chala, themeluese e kompanisë IT, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ajo ka votuar për Poroshenkon.
Chala ka thënë se Poroshenko ka bërë gabime prej kur ka ardhur në pushtet, mirëpo e ka drejtuar Ukrainën në rrugën e perëndimit dhe shpreson se një gjë e tillë do të rezultojë me anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Ne kemi probleme të ndryshme, siç është ngritja e çmimeve të naftës. Unë e kuptoj se nuk është e mundshme që të ndodhë mrekullia dhe gjithçka të rregullohet brenda një dite”.
Zelenskiy ka realizuar fushatën e tij kryesisht në rrjetet sociale dhe ka qëndruar larg diskutimeve të politikave.
Mirëpo sikurse Poroshenko, ashtu edhe Zelenskiy konsiderohen si politikanë pro-perëndimorë.
Zelenskiy ka thënë se mbështet anëtarësimin eventual të Ukrainës në NATO, mirëpo vetëm nëse një gjë e tillë miratohet përmes referendumit.
Ai ka insistuar se Rusia duhet t’u kthejë Ukrainës, rajonin e aneksuar të Krimesë, të cilën e ka pushtuar më 2014 dhe të paguajë dëmet.
Ai ka bërë thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për konfliktin në Ukrainë, nga i cili kanë mbetur të vdekur më shumë se 13,000 persona.
Në të kaluarën, Moska ka refuzuar propozime të tilla, duke konsideruar se konflikti është çështje e brendshme e Ukrainës, dhe i ka bërë thirrje Kievit që të negociojë me përfaqësues të formacioneve separatiste të mbështetura nga Moska.