Partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, të hënën në Parlament ka dorëzuar propozimin për miratimin e një Ligji të veçantë për amnisti përmes së cilit kërkohet të lirohen nga akuza të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë.
Dragan Danev nga VMRO-DPMNE, ka kërkuar nga shumica parlamentare të mbështesin propozim-ligjin për amnisti, në të kundërtën, sipas tij, pushteti do të dëshmojë se drejtësia është selektive dhe vlen vetëm për deputetët e VMRO-DPMNE-së që mbështetën ndryshimet kushtetuese.
“Propozim-ligji është dorëzuar me procedurë të shkurtuar dhe presim që deputetët që përbejnë shumicën të përfshihen në debat dhe të dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për premtim të rrejshëm për drejtësi dhe pajtim nacional”, ka thënë Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Por, nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, kërkesën për amnisti përmes miratimit të një ligji të veçantë e ka cilësuar si ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë.
Socialdemokratët thonë se ka nevojë për pajtim dhe falje mes deputetëve, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndërpriten proceset gjyqësore.
Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se VMRO-DPMNE është e detyruar të iniciojë nismën për amnisti për të gjithë ata që akuzohen si pjesëmarrës në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, për të mos ndodhur çarje të thella në këtë parti.
“Kërkesën e VMRO-DPMNE-së për miratimin e një Ligji për amnisti më shumë e shoh si tendencë për të rregulluar problemet në këtë parti sesa për të iniciuar ndonjë debat konstruktiv mes subjekteve politike, si opozitë -pushtet, në funksion të procesit të ndryshimeve kushtetuese, me këtë dhe përshpejtimin e rrugës drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thotë Albert Musliu.
Nga ana tjetër, Mitko Gaxhoski, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se VMRO-DPMNE si parti është bërë shumë e ndjeshme pas përplasjeve që gjithnjë e më shumë bëhen të dukshme mes udhëheqësve të partisë dhe përjashtimit nga partia të deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese dhe në një mënyrë ajo synon të marrë rolin e shpëtimtarit.
Gaxhovski vlerëson se pas sigurimit të dy të tretave të votave për nismën e ndryshimeve kushtetuese, pothuajse është e pamundur të arrihet ndonjë marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës, që të mbështeten amendamentet për ndryshimet kushtetuese në këmbim të një Ligji për amnisti.
“Mendoj se është shumë i vonuar reagimi i VMRO-DPMNE-së, ndoshta do të kishte gjasa për ndonjë marrëveshje eventuale nëse kërkesa për amnisti do të shtrohej shumë më herët nga ajo që ndodhi në Parlament me sigurimin e dy të tretave të votave për nismën për ndryshimet kushtetuese".
"Tani reagimi i VMRO-DPMNE-së do të thosha se është i vonuar dhe mendoj se nuk do të ketë amnisti të përgjithshme për të gjithë ata që akuzohen për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit”, nënvizon Gaxhoski.
Nga Qeveria e Maqedonisë, thonë se mbetet oferta për opozitën maqedonase që të përfshihet në debatin mbi hartimin e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.