Ndërlidhjet

Pse vlera R është e rëndësishme në frenimin e koronavirusit?


Një mural në Gjermani.
Një mural në Gjermani.

Derisa vendet në mbarë botën përpiqen të dalin nga izolimi, ato po gjurmojnë një të dhënë që njihet si vlera R dhe që tregon se sa shpejt riprodhohet koronavirusi në mesin e popullatave. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, anëtari i task-forcës gjermane kundër pandemisë COVID-19, Tobias Welte, tregon se përse është e rëndësishme që vlera R të mbahet në ose nën 1.

Radio Evropa e Lirë: Dr.Welte, a mund të na shpjegoni fillimisht se çfarë është shkalla e riprodhimit apo ajo që njihet si vlera R?

Tobias Welte: Shkalla e riprodhimit tregon se sa pacientë të infektuar mund të infektojnë njerëz të tjerë. Nëse shkalla e riprodhimit është një, ajo tregon se një pacient do të infektojë një person tjetër. Nëse shkalla e riprodhimit është tre, një pacient do të infektojë tre persona të tjerë. Ajo që bëjmë ne në Gjermani, është llogaritja e shkallës mesatare të riprodhimit. Analizojmë një javë të tërë dhe pastaj e krahasojmë mesataren e asaj jave, me atë të një jave më herët. Aktualisht, mesatarja e shkallës së riprodhimit në Gjermani është midis 0.7 dhe 0.8, që do të thotë se një person i infektuar infekton më pak se një person tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Si krahasohet vlera R e koronavirusit me sëmundjet tjera?

Tobias Welte: Shkalla më e lartë e riprodhimit te sëmundjet pulmonare, ka të bëjë me influencën, me gripin, dhe ajo është midis 2.3 dhe 3. Ka sëmundje që janë edhe më ngjitëse. Për shembull, fruthi. Shkalla e riprodhimit te fruthi është 10 ose më shumë. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse. Por, secila sëmundje që e ka vlerën e riprodhimit 1 ose nën 1, nuk është më shumë ngjitëse. Me izolim, me ndalimin e ngjarjeve të mëdha, të koncerteve, të ndeshjeve të futbollit, të secilës ngjarje me numër të madh të spektatorëve, kemi arritur të ulim shkallën e riprodhimit [të koronavirusit] nga java në javë. Dhe, kur ajo është nën një, do të thotë se jeni në anën e sigurt.

Radio Evropa e Lirë: Nëse vlera R është nën 1, a do të thotë se virusi është tërhequr?

Tobias Welte: Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Derisa shohim që numri i të infektuarve po bie, arsyet për këtë mund të jenë disa. E para: ndoshta transmetimi i sëmundjes nuk është më aq i fuqishëm për shkak të distancimit social, maskave dhe masave të tjera të izolimit. E dyta: ndoshta edhe virusi po ndryshon, nuk është më aq ngjitës. Dhe e treta, që është shumë e rëndësishme, mund të jetë ndjeshmëria jonë ndaj virusit. Tani mund të jemi më pak të ndjeshëm. Kjo është diçka që e dimë edhe nga sëmundjet e tjera virale, sidomos nga ato pulmonare. Pra, gjatë verës jemi më pak të ndjeshëm; reagimi i sistemit imunitar është më i mirë se gjatë dimrit.

Lufta e liderëve botërorë për një “vaksinë të njerëzve”
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Radio Evropa e Lirë: Vendet po luftojnë një betejë të vazhdueshme për të ulur vlerën R. Cilët hapa mund të ndihmojnë?

Tobias Welte: Ndërhyja më e rëndësishme është distanca sociale, sepse kontakti personal i njërit me tjetrin është faktori kryesor i transmetimit të sëmundjes. Ajo që do të bëjmë ne në Gjermani është të ruajmë distancën sociale, pra distancën prej një metër e gjysmë, që rekomandohet nga qeveria. Po ashtu do të vazhdojmë t’i anulojmë ngjarjet e mëdha dhe pastaj do të shohim.

Radio Evropa e Lire: Si mund t’i lehtësojnë masat e izolimit qeveritë, por, në të njëjtën kohë, qytetarët të jenë të sigurt? Si të gjendet balanca?

Tobias Welte: Duhet të testojmë. Secili me probleme në frymëmarrje duhet të testohet. Testimi është kyç. Duhet të monitorojmë atë që testojmë. Nëse shkalla e infeksionit rritet përsëri dhe rritet ndjeshëm, duhet të ndërmarrim vendime të reja për izolim. Dhe, kjo nuk do të jetë e lehtë, sepse nëse shikoni atë që po ndodh në Gjermani, njerëzit janë shumë të lodhur sa u përket masave të izolimit.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët Gjermaninë. Ditëve të fundit, vlera R në Gjermani ka qenë edhe pak mbi 1. Ju jeni anëtar i task-forcës gjermane kundër pandemisë COVID-19. A jeni i shqetësuar?

Tobias Welte: Mendoj se në Gjermani kemi bërë punë të mirë. Kemi pasur fat. E kemi parë se çfarë ka ndodhur në Itali dhe në Spanjë dhe jemi përgatitur, i kemi vendosur masat e izolimit herët. Nuk e kemi pasur përhapjen e njëjtë e as shpërthimin e njëjtë në spitale si në vendet e tjera evropiane. Republika Çeke ka bërë të njëjtën gjë dhe ka qenë e suksesshme. Por, tani problemet e humbjes ekonomike dhe të rritjes së papunësisë janë gjithnjë e më dominuese.

Radio Evropa e Lirë: Përmendet shpesh edhe mundësia e valës së dytë të koronavirusit. Nëse ndodh, kur mund të pritet?

Tobias Welte: Nuk mendoj se vala e dytë do të ndodhë gjatë verës. Siç ndodh zakonisht me viruset respiratore, për shkak të kushteve të motit, shanset janë më të vogla gjatë verës. Por, me fillimin e vjeshtës – në tetor ose nëntor – vala e dytë është e mundur. Ne nuk do të kemi vaksinë para vitit të ardhshëm, ose edhe një vit pas tij. Dhe nëse vala e dytë vjen, do të kemi probleme. Nëse vala e dytë shoqërohet me sëmundje tjera infektuese – pra koronavirusi dhe influenca – atëherë do të jetë një katastrofë. Andaj, programet e mira të vaksinimit për gjithçka tjetër do të jenë një nga synimet kryesore të politikës shëndetësore në Gjermani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG