Presidenti rus, Vladimir Putin, arriti në Teheran më 19 korrik dhe pritet të mbajë bisedime me homologët e tij iranian dhe turk, Ebrahim Raisi dhe Recep Tayyip Erdogan.
Bisedimet pritet të përqendrohen në propozimin e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që ka për qëllim rikthimin e eksporteve të drithërave ukrainase për të lehtësuar krizën globale ushqimore.
Në agjendë të bisedimeve pritet të jetë edhe konflikti në Siri.
Kjo vizitë është pjesë e të ashtuquajturit format të bisedimeve të Astanës, që lidhen me Sirinë.
Putin po ashtu është paraparë të takohet me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Kjo është vizita e parë e liderit rus jashtë ish-shteteve të Bashkimit Sovjetik, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Yury Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, u tha gazetarëve në Moskë se bisedimet e Putinit me Erdoganin do të përfshijnë edhe planin për të zhbllokuar dërgesat e drithërave ukrainase.
“Çështja e dërgesave të drithërave ukrainase do të diskutohet me Erdoganin... Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën në këtë drejtim”, citohet të ketë thënë Ushakov.
Rusia ka marrë kontrollin e disa prej porteve në Detin e Zi dhe ka bombarduar disa të tjera, përfshirë edhe portin e Odesës, ndërsa Ukraina ka vendosur mina në afërsi të disa porteve, me qëllim që të parandalojë sulmet tokësore ruse.
Negociatat midis Rusisë, Ukrainës, Turqisë dhe OKB-së raportet se janë afër arritjes së një marrëveshjeje që do të mundësonte nisjen e eksporteve të drithërave ukrainase përmes porteve.
Negociatorët rusë dhe ukrainas pritet të takohen me diplomatët turq dhe të OKB-së në Stamboll më 20 korrik për të diskutuar për marrëveshjen e mundshme.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka lënë të kuptohet më 15 korrik se dokumenti final do të jetë gati së shpejti dhe do të mundësojë rikthimin e eksporteve të drithërave ukrainase dhe të drithërave dhe plehrave artificiale që eksporton Rusia.
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka konfirmuar se “marrëveshja në parim është arritur” midis Ukrainës dhe Rusisë, që sipas tij, do të krijojë një korridor të sigurt detar për të mundësuar transportin e drithërave.
Sipas Ushakov, një qendër koordinuese do të hapet në Stamboll, që do të lejojë rrugëtimin e mallrave përmes Detit të Zi.
Diplomatët kanë thënë se në planin e diskutuar përfshihet edhe lejimi që anijet ukrainase të përcjellin dërgesat me drithë jashtë porteve. Negociatorët shpresojnë se kjo zgjidhje do të mundësojë që të zbrazen depotë me drithëra në Ukrainë, para sezonit të ri të korrjeve.
Bllokada e eksporteve të drithërave ka bërë që çmimet globale të ushqimit të rriten dhe janë rritur shqetësimet për përhapjen e urisë në Afrikë dhe Lindje të mesme, zona që varen nga dërgesat ukrainase të drithërave.