Ndërlidhjet

Putin nënshkruan dekretin për rekrutimin e ushtarëve


Ushtarë rusë gjatë një parade ushtarake në Moskë më 9 maj 2023.
Ushtarë rusë gjatë një parade ushtarake në Moskë më 9 maj 2023.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për fushatën e zakonshme pranverore të rekrutimit, duke thirrur 150.000 qytetarë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, u tha në një dokument të publikuar në ueb-faqen e Kremlinit më 31 mars.

Të gjithë burrat nga 18 vjeç e lart janë të obliguar që të kryejë shërbimin e detyrueshëm njëvjeçar apo trajnime ekuivalente gjatë shkollimit të lartë.

Në korrikun e vitit të kaluar, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus votoi për të rritur moshën maksimale të rekrutëve nga 27 në 30. Legjislacioni i ri hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak për një kohë të gjatë ka qenë temë e ndjeshme në Rusi, shtet ku burrat tentojnë t’i shmangen rekrutimit gjatë dy fushatave rekrutuese gjatë vitit.

Ligjërisht, rekrutët nuk mund të dislokohen për të luftuar jashtë Rusisë dhe ata u përjashtuar nga mobilizimi i vitit 2022, kur u mblodhën të paktën 300.000 persona me trajnime të mëparshme ushtarake për të luftuar në Ukrainë. Megjithatë, disa rekrutë u raportua se gabimisht u dërguan për të luftuar në Ukrainë.

Në shtator, Putin nënshkroi rekrutimin e 130.000 personave gjatë fushatës vjeshtore dhe fushatën e kaluar pranverore të rekrutimit Rusia planifikoi të rekrutonte 147.000 persona.

Fushata e rregullt e rekrutimit ndodh në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, të cilin Moska e nisi në shkurt të vitit 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG