Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbajtur një konferencë të gjatë për gazetarë në Kremlin, nga ku ka njoftuar se do të garojë si i pavarur në zgjedhjet presidenciale që mbahen në mars të vitit të ardhshëm. Ai po ashtu i ka dalë në mbrojtje homologut të tij amerikan, Donald Trump, kundër akuzave për bashkëpunim me Moskën gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, por ka kritikuar SHBA-në se ka shkelur një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin ndaj armëve bërthamore.
Putin ka folur para rreth 1600 gazetarëve rusë dhe ndërkombëtarë të enjten në konferencën vjetore, që është një prej paraqitjeve të tij të fundit si president, para zgjedhjeve presidenciale që duket se do t’ia sigurojnë edhe gjashtë vite të tjera në pushtet.
Konferenca të tilla - që janë mbajtur rregullisht gjatë mandatit të tij - i kanë shërbyer presidentit Putin që ta formësojë imazhin e tij, t’i sigurojë rusët se ata janë në duar të sigurta, dhe të dërgojë sinjale drejtuar Uashingtonit, Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës.
Derisa Putin po paraqitej në skenë, në një ekran të madh prapa tij shfaqeshin fotografi ku shihej ai teksa takonte udhëheqës botërore dhe në vizitat në vende të ndryshme në Rusi.
I pyetur në fillim të konferencës se pse ai ka vendosur që të garojë për mandatin e katërt, Putin tha se ai dëshiron që ta përmirësojë jetën e qytetarëve rusë. Ai shtoi se autoritetet duhet të përqendrohen në rritjen e të ardhurave për qytetarët, dhe se është e domosdoshme të bëhen përmirësime në infrastrukturë, edukim, dhe sistemin shëndetësor.
Më vonë gjatë konferencës, ai tha se do të jetë kandidat i pavarur dhe nuk do të nominohet nga partia Rusia e Bashkuar, që është forcë dominante në vend por më pak popullore se Putini.
Putin tha se “llogaritë në përkrahje të gjerë nga qytetarët” në zgjedhje, dhe se shpreson që të ketë përkrahje nga më shumë se vetëm një parti. Ai tha se opozita ruse nuk ka ndonjë kandidatë të fortë dhe se shumica e rivalëve të tij politikë bëjnë shumë zhurmë, por nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë vendit. Këtë deklaratë ai e ka thënë disa herë edhe në të kaluarën.
Rusia ka nevojë për një sistem politik konkurrues dhe “fleksibil”, shtoi Putin, kritikët e të cilët e akuzojnë atë se i shfrytëzon forcat e rendit, gjykatat, dhe metoda të tjera për të shtypur rivalët.
Ora e parë e konferencës u dominua nga çështjet e brendshme, dhe Putin mbushi përgjigjet e tij me statistika, në një tentativë për të treguar se jeta në Rusi është duke u përmirësuar dhe se problemet po trajtohen.
Konferenca e këtij viti është e 13-ta me radhë që kur ai u bë për herë të parë president në vitin 2000. Gjatë këtyre konferencave, ai u përgjigjet pyetjeve për tema të ndryshme, siç janë ekonomia, marrëdhëniet e jashtme, e deri tek ato më të lehta që kanë të bëjnë me jetën personale.
Ai u pyet lidhur me çerdhet për fëmijë, mbrojtjen e pyjeve, çmimin e tokës dhe çështje të tjera.
Duke folur për politikën e jashtme, Putin tha se akuzat për bashkëpunim në mes të bashkëpunëtorëve të Donald Trumpit dhe Rusisë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore në SHBA, janë “shpikur nga njerëz që kundërshtojnë Trumpin, në mënyrë që t’ia zhvlerësojnë punën e tij”.
Putin në vazhdimësi ka hedhur poshtë vlerësimet e zyrtarëve të inteligjencës amerikane se ai ka urdhëruar “një fushatë” duke përdorur sulme kibernetike, lajme të rrejshme dhe metoda të tjera, për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, në të cilat Kremlini përkrahte Trumpin kundrejt kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton, e cila kishte dhënë shenja se do të kishte qasje të fortë ndaj Rusisë pas veprimeve në Ukrainë.
Putin tha se Trump, i cili kishte thënë gjatë fushatës së tij se dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, është penguar për të bërë një gjë të tillë.
Ai po ashtu tha se Trump ka shënuar arritje të rëndësishme si president, duke marrë si shembull tregjet në rritje, dhe shtoi se shpreson se marrëdhëniet mes dy vendeve do të përmirësohen.
Putin përsëriti akuzat e Rusisë se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur një marrëveshje për armët bërthamore të nënshkruar në vitin 1987, duke thënë se “de fakto” Uashingtoni ka hequr dorë nga kjo marrëveshje e kontrollit. Ky qëndrim i tij bëhet si përgjigje ndaj akuzave të SHBA-së se Rusia ka zhvilluar një raketë që është në kundërshtim me këtë marrëveshje.
Duke ripërsëritur qëndrimin rus lidhur me konfliktin në Ukrainën lindore, në mes të forcave qeveritare dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia, Putin tha se efektshmëria e marrëveshjes së paqes së vitit 2015 ka qenë e “ulët”, duke lënë Kievin fajtor për këtë gjë.
Përveç kësaj konference vjetore, Putin po ashtu i drejtohet Parlamentit në fund të vitit. Ai fjalim, që zakonisht mbahet më 1 dhjetor, është shtyrë kësaj radhe, dhe sipas disa raportimeve ende të pakonfirmuara, do të mbahet në shkurt të vitit 2018, pra vetëm pak javë para zgjedhjeve.
Në Kremlin ka shqetësime se dalja e qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë e ulët, dhe kështu të vë dyshim legjitimitetin e Putinit. Një agjenci e pavarur ka parashikuar se dalja në zgjedhje do të jetë 53 për qind.
Lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalny, është ndaluar nga autoritetet që të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi, të cilin e ka cilësuar si të motivuar politikisht.
Kandidatët e tjerë në garë përfshijnë komunistin Gennady Zyuganov, nacionalistin Vladimir Zhirinkovsky, liberalin Grigory Yavlisnky, dhe Ksenia Sobchak, një gazetare që mori pjesë në konferencën vjetorë të së enjtes.
Një sondazh i bërë nga agjencia e pavarur Levada, e nxjerrë Putinin si fitues të zgjedhjeve me 61 për qind, ndërsa 8 për qind të votave, sipas sondazhit, do t’i fitojë Zhirinkovsky.