Ndërlidhjet

Osmani: Serbisë t’i kërkohet llogaridhënie për veprimet kundër Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar në një mëngjes pune me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar në një mëngjes pune me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kërkojë llogaridhënie Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës, “duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”.

Osmani, gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian bisedoi për situatën e sigurisë pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, tha Osmani, sipas një njoftimi për media.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Serbia ka mohuar se ka gisht në sulmin që Kosova e konsideron terrorist dhe akt agresioni kundër saj.

“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, tha Osmani.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG