Ndërlidhjet

Osmani nuk dekreton Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Osmani renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.

Presidentja tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Osmani tha se për vlerësimin që ka bërë Presidenca për çështjen e kryeprokurorit janë marrë parasysh vlerësimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe institucionet ndërkombëtare.
Ajo tha se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” është ideja që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.
Sipas Osmanit, disa nga shkeljet që janë evidentuar nga Presidenca për procedurën e përzgjedhjes së kryeprokurorit janë:
  • Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit
  • Mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes propozimit arbitrar të raportit të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve
  • Shkelje në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve
  • Shkelje në procedurat e vlerësimit të integritetit të kandidatëve
  • Shkelje në procedurat e vlerësimit të koncept-dokumentit dhe prezantimit të tij nga kandidatët
  • Cenimi i parimit të transparencës gjatë procedurave të përzgjedhjes
  • Cenimi i parimit të barazisë përgjatë procedurës së përzgjedhjes së Kryeprokurorit
  • Cenimi i parimit të meritokracisë përgjatë procedurave të përzgjedhjes
  • Mungesat në dokumentacionin e dorëzuar nga KPK përkundër kërkesave të Presidencës që ta plotësojë atë

“Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, tha presidentja Osmani gjatë konferencës për media.

KPK reagon pas vendimit të Osmanit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) tha se në një takim të mbyllur më 17 tetor ka diskutuar për situatën e krijuar pas mosdekretimit të Isufajt nga presidentja Osmani.

KPK tha se arsyetimet e Osmanit për mosdekretim ishin “tejet e pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze”, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokuroria”.

“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, u tha në reagimin e KPK-së.

Ndërkaq, sa i përket deklaratave të presidentes kosovare se është përballur me kërcënime sa i përket çështjes së kryeprokurorit, KPK e ftoi Osmanin që "nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato tek organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”.

Në takimin e së martës, KPK vendosi po ashtu që së shpejti të mbajë një takim për hapat që duhet të ndiqen pas mosdekretimit të Isufajt.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është në linjë me qëndrimet e shprehura nga organizatat joqeveritare, ambasadat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Komisioni Evropian.

"Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet", shkroi ai.

Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes vitin e kaluar janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG