Ndërlidhjet

Nënpresidentja Harris falënderon Kosovën për strehimin e afganëve


Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris kanë diskutuar përmes një bisede telefonike për raportet mes dy vendeve, pandeminë si dhe për çështjen e strehimit të qytetarëve afganë, të cilët kanë ikur nga talibanët.

Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi tha se nënpresidentja Harris shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.

"Nënpresidentja Harris nënvizoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit dhe shpresat për përparim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja", tha Shtëpia e Bardhë.

Zonja Harris edhe përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se SHBA-ja e falenderon Kosovën për strehimin e afganëve dhe se gjatë bisedës me Osmanin "jemi pajtuar që të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet e rëndësishme SHBA-Kosovë".

Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s.

“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Osmanit.

Gjatë kësaj bisede telefonike, po ashtu është diskutuar për çështjen e pandemisë. Osmani ka shprehur falënderimin për donacionin prej mbi gjysmë milion doza të vaksinave Pfizer, që SHBA-ja ka nisur të dërgojë në Kosovë.

Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurtë nën sundimin e talibanëve, të cilët e morën kontrollin e Afganistanit, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe të vendeve aleate.

Deri më tani në Kosovë janë strehuar 467 shtetas afganë dhe ata janë vendosur në ish-kampin e "Bechtel Enkas", në afërsi të Ferizajt.

Të premten, më 3 shtator, Radio Evropa e Lirë raportoi se ka nisur dërgimi në Kosovë i mbi gjysmë milion vaksina Pfizer, donacion nga SHBA-ja.

Ky donacion do të vijë në Kosovë përmes programit COVAX, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG