Ndërlidhjet

Osmani: Bandat kriminale kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se situata në veri të Kosovës përshkallëzohet sepse “bandat kriminale”, që sipas saj financohen dhe përkrahen politikisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë për qëllim që ta “destabilizojnë tërë Kosovën".

Këto komente ajo i bëri pasi të martën u raportuan disa incidente në komunat në veri të Kosovës.

“Rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetarë tanë pavarësisht etnisë”, tha Osmani gjatë një konference për media në Tiranë, pas samitit të mbajtur midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Më 6 dhjetor, Policia e Kosovës konfirmoi se kanë ndodhur disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, në kohën kur policët po shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna me shumicë serbe.

Policia tha se dyshohet se kishte "shkrepje me armë dhe shpërthime".

Osmani tha se institucionet janë në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune në Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

Këto katër komuna me shumicë serbe kanë mbetur pa kryetarë , pasi zyrtarët e Listës Serbe u tërhoqën nga institucionet e Kosovës në nëntor, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me rirregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Zgjedhjet në katër komunat veriore janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor.

“Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetarë tanë pavarësisht etnisë. Është shumë me rëndësi që siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha, në mënyrë që në çdo proces zgjedhor, ata të mbrohen e mos të kërcënohen nga këto banda kriminale”, tha Osmani.

KQZ-ja – organi përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve – tha se zyrtarët komunalë zgjedhorë u parandaluan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok për të kryer “ushtrimin e detyrave zyrtare”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG