Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lideri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon me mendësinë e ish-presidentit të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq.
Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit, i cili ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, presidentja e Kosovës tha se nuk befasohet nga “gjuha e ministrit të Millosheviqit”.
“Aleksandar Vuçiq ka qenë ministër i propagandës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të shkaktuara nga ish-shefat e tij dhe për fat të keq edhe tani edhe në vitin 2022 po e dëshmon logjikën e njëjtë të shekullit të kaluar. Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e regjimit të Millosheviqit".
"Përkundrazi, vazhdon të glorifikojë Millosheviqin dhe ta shfajësojë atë për krimet e kryera në Kosovë. Akoma nuk i ka vendosur para drejtësisë kryerësit e krimeve dhe masakrave të shumta, përfshirë gjenocidit ndaj popullatës së pafajshme civile në Republikën e Kosovës”, tha Osmani gjatë një konference për media në Mitrovicë më 14 prill pasi u takua me kryetarin e këtij qyteti, Bedri Hamza.
Vuçiq më 13 prill, duke folur për deklaratat Kurtit dhe Gjukanoviqit, që kanë kritikuar Serbinë për blerje të armatimit nga Kina, tha:
“Unë më me dëshirë do të isha gjithmonë një ujk i vetmuar sesa një hienë e paturpshme dhe e pamoralshme... Është edhe më keq të jesh mizë që sillet rreth hienës dhe pret t'i sillet një pre, siç janë Kurti dhe Gjukanoviq".
Kurti deklaroi më 13 prill se Serbia me blerjen e armatimeve po tenton ta forcojë veten, sepse sipas tij, “ndoshta mund të ngelet e vetmuar”.
Ndërkaq, Gjukanoviq tha se Serbia po vazhdon të blejë armë nga “armiq të dukshëm të Evropës dhe NATO-s”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se armatosja e Serbisë nga Kina, por dhe Rusia në dekadën e fundit, tregon se Beogradi nuk është “i interesuar për stabilitet dhe paqe” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Armatimi i Serbisë nuk po ndodh vetëm tani. Tani ka marr përmasa edhe shqetësuese, por siç e dini, në raport me Rusinë dhe Kinën, ata janë duke e rritur armatimin e tyre, minimum në dhjetë vjetët e fundit dhe kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë, por tregon se akoma dëshiron të shkaktojë destabilitet, edhe e ndikuar nga Rusia, satelit i së cilës Serbia është”, tha Osmani.
Sipas presidentes së Kosovës, Serbia vetëm deklaron se është për rrugën evropiane, por sipas saj, ky shtet është në “rrugën e [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit”
Në ditët e fundit, në Serbi arritën sisteme kundërajrore kineze, FK-3. Sisteme të tilla janë të ngjashme me sistemin rus S-300, apo atë amerikan, Patriot.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se blerja e sistemeve të tilla është "legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente".
Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për blerjet e armëve nga ana e Serbisë në Rusi dhe Kinë, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, pritet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian.
Po ashtu, Qeveria gjermane, pas lajmit të arritjen e armatimit nga Kina, i bëri thirrje Serbisë që të përshtatë politikën e jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian.