Ndërlidhjet

Osmani: 28 Nëntori na kujton çmimin e lartë për liri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një fjalimi në Samitin e Diasporës në Tiranë më 23 nëntor 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një fjalimi në Samitin e Diasporës në Tiranë më 23 nëntor 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, u kujton të gjithë shqiptarëve çmimin e lartë për lirinë.

Gjatë homazheve në Prekaz të Skenderajt, Osmani uroi të gjithë shqiptarët për pavarësinë e Shqipërisë, por theksoi se kjo datë lidhet edhe me ngjarje të tjera të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës.

“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një figurë dhe një familje po aq historike sa edhe vetë flamuri kuq e zi, familjen Jashari, njëkohësisht duke shënuar ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe daljen e parë publike të ushtrisë sonë çlirimtare më 28 nëntor 1997. Është pikërisht flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor që është ditë që na kujton gjithsecilit prej nesh çmimin e lartë të lirisë, por njëkohësisht edhe sakrificat që janë bërë për shekuj në mënyrë që të jetojmë të lirë”, tha Osmani.

Më 28 Nëntor, Shqipëria shënon 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë.

Në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz së bashku me Osmanin ishte edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai tha se shënimi i 28 Nëntorit gjithmonë nis në Prekaz, ku më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmuan familjen Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

“28 Nëntori në Kosovë gjithmonë fillon në Prekaz, këtu ku ka ndodhur sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri dhe këtu ku është ngjizur lufta e lavdishme e UÇK-së. Po ashtu kjo datë është dalja publike e ushtrisë sonë çlirimtare e po ashtu në të njëjtën kohë ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari. Nëntorët do të festohen gjithmonë. Uroj që neve të na gjejë gjithmonë të bashkuar dhe gjithnjë më të fortë”, tha Konjufca.

Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e kanë uruar edhe liderët e tjerë politikë në Kosovë.

Në Kosovë, 28 Nëntori nuk është festë shtetërore. Por, Qeveria e Kosovës me vendim të posaçëm çdo vit e shpall këtë ditë si ditë pushimi.

Gjatë kësaj dite, qytetet në mbarë Kosovën stolisen me flamurin kombëtar të Shqipërisë dhe institucionet organizojnë ngjarje të ndryshme për të shënuar këtë festë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG