Ndërlidhjet

Policia e Kosovës e deporton Gjuriqin në Serbi


Turma reagon teksa Gjuriq sjellet nga policia në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Policia e Kosovës ka deportuar për në Serbi, shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Lajmin për deportimin e tij, e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Gjuriq është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi nuk ka përfillur ndalesën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës dhe është futur në Mitrovicë.

Pas arrestimit, ai u dërgua në Prishtinë, ku u mbajt vetëm pak minuta brenda stacionit policor. Në momentin kur ai u nxorr nga automjeti, dhjetëra qytetarë u mblodhën para stacionit policor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.

"Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë.

"Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie", ka shkruar Veseli.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawi thotë se është i shqetësuar me ngjarjet që ndodhën në Mitrovicë.

“Nuk ka alternativë tjetër pëveç dialogut”, ka shkruar Delawie në Twitter, pas arrestimit të Marko Gjuriq nga autoritetet në Kosovë.

Ndërkaq, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini ka njoftuar se ka telefonuar të dy presidentët, atë të Kosovës Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq të Serbisë.

“Me vije keq për atë që ka ndodhur sot. Tani Gjuriq është i lirë dhe gjatë rrugës për t'u kthyer pas. Duhet qetësi dhe ruajte e dialogut”, ka shkruar Mogerini në Twitter.​

Mospërfillja e Gjuriqit që u ka bërë institucioneve të Kosovës ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës dhe organeve të rendit të cilat kanë zbarkuar sot gjatë gjithë ditës në veri të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kishte paralajmëruar arrestimin e Gjuriqit, nëse futet në Kosovë pa leje.

Ndërhyrja e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ndodhi në momentin kur Gjuriq dhe zyrtarët tjerë serbë që kishin hyrë pa leje po mbanin një tubim, ku po diskutonin për çështjen e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në atë moment, është lëshuar alarmi, ndërkohë që policia ka përdorur gazin lotsjellës gjatë ndërhyrjes.

Gjuriq, më pas është sjell në stacionin qendër të Policisë në Prishtinë.

Pas arrestimit të Marko Gjuriqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thirrur Këshillin për Siguri Kombëtare që të mbajë mbledhje, në orën 19 e 30.

Ndryshe, me të mbërritur të zyrtarëve nga Beogradi, në Mitrovicë Veriore ka nisur, siç është thënë, tryeza e rrumbullakët për dialogun e brendshëm për Kosovën, me temën “Forcimi dhe mbijetesa e institucioneve serbe në Kosovë”.

“Ne kemi ardhur sot këtu në Mitrovicë ashtu siç edhe kemi premtuar, ashtu siç jemi marrë vesh para disa ditësh, kur me nismën e Vuçiqit, kemi bërë thirrje për këtë tryeze të rrumbullakët, në mënyrë që me serbët e Kosovës të bisedojmë për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Gjuriqi, në hapje të takimit.

“Pa ju, pa serbët e Kosovës, nuk ka zgjidhje për Kosovën. Për Serbinë, Kosova, veriu i Kosovës, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e të ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e të ashtuquajturës Shqipëri e madhe”, ka thënë Gjurqi.

Ndërkaq, Nikola Sellakoviq u ka bërë thirrje të tubuarve që të shfaqin mendimet e tyre për atë se si e shohin luftën e mëtutjeshme të autoriteteve serbe për Kosovën.

“Pikërisht kështu siç ne, sot, nuk kemi hequr dorë, pavarësisht të gjitha kërcënimeve, ndalesave, kordonëve dhe kontrolleve, pikërisht ashtu siç nuk kanë mundur të na ndalin dhe ashtu siç nuk kemi hequr dorë që të vijmë, ashtu nuk do të heqim dorë as nga lufta jonë për të kërkuar zgjidhjen, e cila serbët dhe Serbinë nuk i shkatërron dhe nuk i poshtëron”, ka thënë Sellakoviq.

Kurse kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq ka ftuar presidentin e Serbisë që të fillohet me formimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se shqiptarët (institucionet e Kosovës) nuk janë në gjendje që ta kryejnë këtë punë.

“Ftoj qeverinë dhe presidentin e Serbisë që të na ndihmojnë që ta ruajmë këtë liri tonën, kurse Prishtinën e porosisim që të mos na kërcënojë dhe dhunë”, ka thënë Rakiq.

Paraprakisht nga Ministria e Jashtme të Kosovës ishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri u kishte refuzuar kërkesën për vizitë të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Sellakoviq. Sipas Zyberaj, ndalesa është aplikuar për shkak të “deklaratave që nxisin tensionim të situatës”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se ndalesa që i është vënë vizitës së Gjuriqit dhe zyrtarëve tjerë serb ndërlidhet me deklaratat e tyre nxitëse dhe mos përfilljen e marrëveshjes për vizitat reciproke.

“Gjuriq, të enjten dhe të premten me deklaratat e tij ka nxitur urrejtje e pakënaqësi te popullata e Kosovës, duke thënë se po shkon në vendin e vet (në Kosovë) dhe nuk ka askush që e ndalë”, tha Pacolli, gjatë një konference për media, pas takimit me ministren e Austrisë për Evropë, Integrim dhe Çështje të Jashtme, Karin Kneissl, e cila po qëndron në Prishtinë.

“Ne i kemi kërkuar atij që t’i respektojë rregullat dhe të paraqes kërkesën 72 orë para se të realizojë vizitën. Andaj, ai sot nuk ka mund të hyjë në Kosovë”, tha Pacolli, duke shtuar se autoritetet e Prishtinës do t’i përgjigjemi kërkesës së Serbisë, në harmoni me marrëveshjen e arritur për vizitat e zyrtarëve.

Përmes një postimi ne facebook, Pacolli ka paralajmëruar arrestimin e atyre që hyjnë pa leje në territorin e Republikës së Kosovës.

“Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriq dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti i tha Radios Evropa e Lirë se policia është e obliguar të veprojë sipas urdhrit, gjegjësisht që të mos lejojë hyrjen e Marko Gjurqit në Kosovë.

Policia e Kosovës, tha Hoti, gjatë ditës së sotme do të veprojë sipas planit të veçantë operativ.

Pas takimit të zhvilluar të premten në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit kishte deklaruar se me leje apo pa lejen e institucioneve të Kosovës, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë do të shkojnë në Mitrovicë.

Në lidhje me vendimin e autoriteteve të Kosovës janë deklaruar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini ka thënë se palët tashmë kanë një marrëveshje për vizitat zyrtare, të cilës, siç tha ajo, “duhet t’i përmbahen".

"Mospajtimet në lidhje me këtë marrëveshje duhet të zgjidhen përmes dialogut, dhe jo përmes çfarëdo përshkallëzimi ", theksoi Kocijançiq.

Ajo tha se të dyja palët mbeten të përkushtuara për dialog dhe se këtë e kanë dëshmuar edhe në takimin e fundit në nivelin e presidentëve të zhvilluar të premten në Bruksel. Prandaj, nënvizoi ajo, të gjitha çështjet me interes të përbashkët duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut në frymën e normalizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve.

Ndërkohë, autoritetet serbe kishin njoftuar se edhe ministrit të Kulturës në Qeverinë e Serbisë, Vlladan Vukosavleviq i ishte ndaluar hyrja në Kosovë përmes pikës kufitare ne Jarinë.

Por, Policia e Kosovës ka njoftuar se ministri serb i kulturës, ishte kthyer vullnetarisht nga kalimi kufitar Jarinë, edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme i kishte lejuar atij vizitën.

"Vizita e tij ishte planifikuar të realizohej në kalimin kufitar Mërdare që lidh Kosovën me Serbinë”, ka sqaruar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, "i njëjti pas hyrjes nuk vazhdoi më tej drejt Mitrovicës Veriore, por ai vullnetarisht ishte kthyer në Serbi".

Ministri serb i Kulturës po planifikonte që të martën të vizitonte disa manastire nëpër Kosovë.

Ndryshe, që nga vera e vitit të kaluar presidenti Serbisë, Vuçiq, kishte paralajmëruar fillimin e dialogut të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës. Një dialog të tillë ai tashmë po e zhvillon nëpër komunat në Serbi, por në Kosovë, autoritetet e Prishtinës nuk e shohin të nevojshme shtrirjen e këtij formati të dialogut.

Përderisa autoritetet e Prishtinës nuk u kanë lejuar zyrtarëve serb të hyjnë në Kosovë për të zhvilluar dialogun e paralajmëruar rreth çështjes së Kosovës, disa qytetarë serb ishin tubuar për sallës, ky ishte planifikuar të mbahej ky debat. Aty afër, janë parë edhe forcat e Policisë së Kosovës të cilat po e vëzhgojnë gjendjen.

Mitrovicë - Qytetarët serb të interesuar të marrin pjesë në debatin rreth Kosovës
Mitrovicë - Qytetarët serb të interesuar të marrin pjesë në debatin rreth Kosovës

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG