Ndërlidhjet

BE kërkon që Kosova dhe Serbia të mos i politizojnë vizitat zyrtare


Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirje Prishtinës dhe Beogradit që të arrijnë një marrëveshje, në kuadër të dialogut, dhe t'i përdorin zyrat ndërlidhëse për t'i aranzhuar vizitat zyrtare.

“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e normalizimit të raporteve dhe mirëkuptimit midis të dyja palëve dhe këto vizita nuk duhet të politizohen”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ky reagim i BE-së vjen pasi Policia e Serbisë ia ndaloi zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, vizitën në Beograd.

Të enjten, më 27 tetor, Bislimi u nis drejt Beogradit për të marrë pjesë në tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi.

Afër Beogradit, Policia serbe, sipas Bislimit, e njoftoi se nuk mund të ofrojnë siguri për delegacionin e Kosovës, rrjedhimisht “siguria e tyre ishte në rrezik”.

Sipas Stanos, Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja dhe të angazhohen në ruajtjen e paqes.

“Dy dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët dhe të zbatojnë detyrimet e tyre, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare”, tha Stano.

Pas kthimit në Kosovë, Bislimi deklaroi se ndërprerja e vizitës së tij në Beograd nga autoritetet serbe, dëshmon se Serbia nuk është i gatshëm të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Bislimi ishte nisur drejt Beogradit në ditën e njëjtë kur Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.

Kosova ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertojnë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas, 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa të lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit, e as të kalojnë kufirin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG