Ndërlidhjet

Blinken dhe Austin në Ukrainë, premtojnë ndihmë të re ushtarake


Nga e majta: sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Nga e majta: sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, premtuan më shumë se 700 milionë dollarë ndihmë ushtarake, direkte dhe jodirekte, për Ukrainën.

Zotimi u bë gjatë vizitës së tyre në Kiev - të parës së këtij nievli amerikan qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Rreth gjysma e parave do të shkojnë në Ukrainë, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet midis anëtarëve të NATO-s dhe aleatëve të tjerë rajonalë.

Përveç kësaj, SHBA-ja do t’i shesë Kievit municion në vlerë prej 165 milionë dollarësh.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka ndarë tashmë disa miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke përfshirë edhe 800 milionë dollarë të tjerë më 21 prill.

Zyrtarët amerikanë përsëritën se ndihma nuk nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në Ukrainë.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë: nuk do të ketë trupa amerikane që luftojnë në Ukrainë”, tha një zyrtar i mbrojtjes për mediat amerikane.

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

Blinken, duke folur për gazetarët pranë kufirit polako-ukrainas, tha se ai dhe Austin udhëtuan me tren nga Polonia në Ukrainë.

Ai tha se vizita në Kiev ishte një mundësi për të demonstruar drejtpërdrejt "mbështetjen tonë të vazhdueshme për Qeverinë ukrainase".

Austin, nga ana tjetër, tha se vizita në Kiev ishte "shumë produktive".

Ai tha se beson se Ukraina mund ta fitojë luftën "nëse i ka pajisjet e duhura".

Dy zyrtarët amerikanë takuan edhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, dhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrsky.

Udhëtimi i tyre u shfrytëzua edhe si mundësi për të njoftuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të fillojë të rihapet këtë javë.

Dy zyrtarët amerikanë përmendën edhe emrin e diplomates amerikane, Bridget Brink, si ambasadore të re të SHBA-së.

Brink, e cila aktualisht është ambasadore në Sllovaki, do të plotësojë pozitën në Kiev, e cila ka mbetur boshe qysh në fillim të vitit 2020, kur president i SHBA-së ka qenë Donald Trump. Mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit Joe Biden do ta emërojë atë zyrtarisht gjatë ditës së hënë.

Ambasada amerikane në Kiev është mbyllur pas shpërthimit të luftës, ndërsa një zyrë e përkohshme e saj është zhvendosur në Poloninë fqinje.

Në një tjetër zhvillim, gazeta britanike, Financial Times, raportoi më 24 prill se presidenti rus, Vladimir Putin, duket i vendosur që të pushtojë sa më shumë territor ukrainas, duke hequr dorë nga bisedimet për paqe.

Financial Times tha se thirret në tre persona të informuar mirë për bisedat e presidentit rus.

Putin u ka thënë njerëzve të përfshirë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit se ai nuk sheh asnjë perspektivë për zgjidhje, raportoi gazeta.

Në terren, forcat ruse janë duke vazhduar sulmet në lindje, duke përfshirë qytetin e rrethuar të Mariupolit, tha ushtria ukrainase.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se rusët kanë qëlluar mbi pozicionet ukrainase përgjatë gjithë linjës së kontaktit.

Ai po ashtu tha se ushtria ruse ka intensifikuar operacionet e saj sulmuese në drejtim të qyteteve: Siverodonjeck, Kurahiv dhe Popasna.

Autoritetet ukrainase vënë numrin e viktimave në luftë në dhjetëra mijëra, edhe pse këto shifra nuk mund të verifikohen ende në mënyrë të pavarur.

Numri i të zhvendosurve nga Ukraina, ndërkaq, ka kaluar pesë milionë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG