Ndërlidhjet

Viti i ekonomisë, premtim në letër apo faktik?


Ilustrim
Ilustrim

Viti 2019 i shpallur si vit i ekonomisë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve konsiderohet si zotim pozitiv, por njëherësh ata kërkojnë që ky synim të mos mbetet vetëm në letër, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Kosova theksohet se ka nevojë që në këtë vit, të shpallur si vit i ekonomisë, të adresojë problemet me të cilat përballen qytetarët e që ndërlidhen me zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik dhe papunësinë e lartë.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike shpreson që shpallja e vitit 2019 si vit i ekonomisë të bëhet realitet pasi që Kosova, thekson ai, po vuan nga papunësia e lartë dhe nga bilanci negativ tregtar.

“Agjenda ekonomike e shtetit të Kosovës deri më tani ka ekzistuar vetëm në letër për faktin që Kosova në 20 vitet e saj të lirisë është përballur me një agjendë kryekëput politike të dominuar nga problemet etnike në veriun e Kosovës, dialogun me Serbinë, përgatitjen e standardeve para statusit dhe asnjëherë në Kosovë agjendë numër një prioritare nuk ka qenë ekonomia e cila në fakt do të duhej të jetë”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Kosovës, jo vetëm që ka shpallur këtë vit, si vit të ekonomisë, por edhe është zotuar se do të punohet pa asnjë hezitim për temat e ekonomisë.

“Vitin që shkoi, e kemi pasur një vit të ndjeshëm me plotë tema. Nuk po them se edhe ky vit nuk ka tema të ndjeshme, por një fokusim më të madh do t’i kushtojmë ekonomisë. Është mirë që të mobilizohemi të gjithë së bashku, ta kthejmë besimin në investimet e huaja, ta kthejmë besimin tek investitorët vendorë”, ka thënë Haradinaj.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë të kenë kërkuar qysh moti që ekonomia të shpallet prioritet në Kosovë. Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se dy fusha që duhet të trajtohen me urgjencë në këtë vit të shpallur si vit i ekonomisë duhet të jetë punësimin e të rinjve dhe rritja e eksporteve.

​“Ne kemi kërkuar kohë të gjatë që ekonomia të jetë prioritet, por të jetë prioritet faktik duke e ditur se vetëm përmes perspektivës ekonomike mund të garantohet mirëqenie për qytetarët. Këto temat politike që i kemi nuk e përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe nuk ndikojnë në zhvillimin e vendit. Ne e mirëpresim vullnetin politik që të kenë fokus ekonominë, por që të japim vlerësime duhet të shohim rezultatet apo një plan konkret i cili realisht tregon se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket gjithë kësaj”, thotë Rukiqi.

Papunësia në Kosovë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka arritur në shkallën mbi 30 për qind, derisa në vit Kosova vazhdon të importojë mallra në vlerë prej rreth 3 miliardë euro, derisa eksporton jo më shumë se 300 milionë euro në vit.

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi thotë se ekonomia do të duhej të ishte prioritet në vazhdimësi i Kosovës dhe institucioneve. Sipas tij, si vit i shpallur i ekonomisë do të duhet të fokusoheshin në zhvillimin më të madh ekonomik dhe punësimin e të rinjve.

Gashi shton se mungesa e vendeve të punës ka krijuar shqetësime tek të rinjtë të cilët po planifikojnë të emigrojnë jashtë vendit.

“Këto fakte janë të pamohueshme që agjenda ekonomike duhet të jetë prioriteti numër një jo vetëm i kësaj qeveri, por edhe atyre që do të vinë më pas. Efektet makroekonomike janë afatgjate, por është mirë të fillohet nga sot e tutje pasi që ndikimet në fushën e ekonomisë, vendimet që merren gjatë këtij viti vërehen tek ne vitet e ardhshme”, thotë Gashi.

Përgjatë viteve rritja ekonomike në Kosovë nuk ka qenë më e lartë se 4,2 për qind, rritje kjo e vlerësuar e pamjaftueshme për të zbutur problemet si papunësinë dhe varfërinë.

Derisa për vitin 2019, Qeveria e Kosovës ka paraparë që me një buxhet prej mbi 2 miliardë euro sa do të jetë, rritja ekonomike të jetë 4,7 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG