Ndërlidhjet

Vetmia - “e rrezikshme sa duhani”


Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë (fotografi arkivi).
Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë (fotografi arkivi).

Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, tha se ky vend po përballet me një epidemi vetmie që është po aq e rrezikshme për shëndetin sa pirja e 15 cigareve në ditë.

Murthy lëshoi një doracak këshillues, i cili bën thirrje që izolimi social të trajtohet seriozisht sikurse obeziteti ose abuzimi me drogën.

Sipas tij, gati gjysma e amerikanëve, nga të gjitha sferat e jetës, mendohet se janë prekur nga vetmia.

Ajo, sipas tij, lidhet me arritje më të ulëta akademike apo performancë më të keqe në punë.

Gjendja është përkeqësuar nga pandemia COVID-19, e cila ka bërë që shumë njerëz t’i zvogëlojnë rrethet e tyre shoqërore, tha Murthy, i cili njëherësh është edhe udhëheqës operacional i Shërbimit të Shëndetit Publik të SHBA-së.

Ai prezantoi, gjithashtu, një kornizë kombëtare për rindërtimin e lidhjeve sociale.

Strategjia e tij ka gjashtë shtylla që përfshijnë përpjekjet për të forcuar infrastrukturën sociale në mesin e komuniteteve.

Ajo thekson edhe nevojën për më shumë transparencë të të dhënave nga firmat e teknologjisë, si dhe për një reformim të mjediseve digjitale.

Sipas doracakut këshillues, vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme për gati 30%, pasi mund të shkaktojë stres te njerëzit, diabet, sulm në zemër apo pagjumësi.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se doracaku është pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës së presidentit Joe Biden për të trajtuar shëndetin mendor.

Maji është muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në SHBA.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG