Një pacient në qytetin Banja Lluka të Bosnjës është hedhur nga kati i pestë i një ndërtese të spitalit. Ka qenë kjo vetëvrasja e gjashtë në këtë objekt këtë vit.
Shumica e pacientëve janë hedhur nga katet ku janë vendosur repartet për trajtimin e sëmundjes COVID-19. Dhe, kjo sjell në vëmendje krizat e mundshme mendore, me të cilat përballen pacientët me koronavirus në Bosnje.
Renata Tamburiq, udhëheqëse e Departamentit për COVID-19 në Qendrën Klinike Universitare të Republikës Sërpska (UCCRS) në Banja Llukë, tregon se pacienti i fundit që ka bërë vetëvrasje, ka qenë i sëmurë rëndë me kancer të fazës së vonshme dhe se ka vuajtur nga pneumonia për shkak të koronavirusit.
Tamburiq thotë se shëndeti i pacientit është përkeqësuar gjatë natës së 3-4 tetorit dhe se “ngjarja e pakëndshme ka ndodhur nga një dhomë që përdor stafi, e ku dritaret nuk kanë qenë të mbrojtura”.
Vdekja e fundit ka qenë vetëvrasja e dytë në spital brenda disa javësh dhe e gjashta këtë vit.
Në pesë incidente, njerëzit janë hedhur nga dritaret e spitalit ku janë të vendosura repartet e koronavirusit; në rastin e gjashtë, pacienti është gjetur i varur në tualetin e një reparti psikiatrik.
Spitali nuk i ka bërë publikë emrat e viktimave.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins në SHBA, Bosnje e Hercegovina ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga koronavirusi në Evropë: 4.5 për qind.
Vetëm 15 për qind e popullsisë së këtij vendi është e vaksinuar plotësisht. Bosnja, si shumë vende të tjera në botë, po përballet me refuzimin e qytetarëve për t’u vaksinuar.
Nebojsha, një 61-vjeçar, është trajtuar në repartin për COVID-19 në katin e pestë të spitalit UCCRS.
“Jam tronditur, sepse dritaret kanë qenë gjysmë të mbyllura (dhe nuk kanë mundur të hapen). Ata thonë se mbahen ashtu në mënyrë që të mos hidhet askush. Disa pacientë atje nuk ndjehen mirë mendërisht”, shprehet Nebojsha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Ai e vlerëson spitalin për trajtimin modern dhe stafin miqësor, por flet edhe për ngarkesat mendore që kanë pacientët.
“Kam parë një grua atje, e cila nuk ka mundur të gjejë dhomën e saj... duke ecur në korridor, korridori në katin e pestë është vërtet i gjatë. E kam parë se nuk ka qenë në gjendjen më të mirë, sepse nuk ka mundur të gjejë rrugën për në dhomë”, rrëfen Nebojsha, i cili ka qenë pacient në atë spital për 21 ditë në muajin maj.
“I kanë lënë të vdekurit në korridor. Unë mund t'i shihja qeset me trupa, qeset që i kanë lënë atje. Mjeku thoshte: vdiqën. Në tetë ditë, shtatë persona vdiqën. Në ditën e tetë, tetë të tjerë vdiqën, që do të thotë gjithsej 15 persona vdiqën”, thotë Nebojsha, duke shtuar se nuk mendon se përvoja ka ndikuar tek ai në aspektin psikologjik.
Miodrag Femiq, kryetar i Unionit të Mjekëve në Republikën Sërpska, thotë se vdekjet janë alarmante dhe se “është koha për të parë se përse po ndodh kjo”.
Pas vetëvrasjes së tretë, e cila ka ndodhur në muajin maj, menaxhmenti i spitalit ka njoftuar se “do ta rregullojë mekanizmin për hapjen e dritareve” dhe se gjithashtu “do të instalojë kamera, në përpjekje për t’i parandaluar njerëzit që të kërcejnë”.
Por, masat e tilla teknike nuk do ta zgjidhin problemin, paralajmëron Sllobodan Staniq, ish-ministër i Shëndetësisë në Republikën Sërpska.
“Është i nevojshëm kujdesi psikologjik ndaj njerëzve kur pranohen (në spital)”, thotë ai.
Mjekët dhe ekspertët e shëndetit në të gjithë botën kanë paralajmëruar për pasojat mendore dhe psikologjike të pacientëve me koronavirus, të pranuar në njësitë e kujdesit intensiv. Përveç problemeve fizike, ata përballen drejtpërdrejt me realitetin e vdekjes, veçanërisht në spitalet e mbipopulluara me pacientë.
Një analizë e madhe në të përjavshmen shkencore britanike “Nature” ka zbuluar se pacientët e konfirmuar me COVID-19 vuajnë më shumë probleme të shëndetit mendor, si për shembull ankth dhe depresion, sesa grupet e tjera të vëzhguara, si për shembull punonjësit e kujdesit shëndetësor ose pacientët e dyshuar me COVID-19.
Spitali i Banja Llukës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se sa prej viktimave të vetëvrasjes kanë qenë duke u trajtuar për COVID-19 në objekt ose sa prej tyre kanë marrë terapi me oksigjen.
Zyrtarët e spitalit gjithashtu nuk u janë përgjigjur pyetjeje se çfarë masash - nëse ndonjë - janë ndërmarrë për të parandaluar vetëvrasje të tjera.
Në një konferencë për media më 4 tetor, përfaqësuesit e UCCRS-së kanë thënë se “vetëvrasjet janë diçka me të cilën përballen spitalet në të gjithë botën”.
Vllado Gjajiq, drejtor i UCCRS-së, ka thënë se spitali e ka trajtuar situatën “profesionalisht” dhe se dritaret tani nuk mund të hapen plotësisht.
“Nëse kemi 1,500 pacientë në qendrën klinike, nuk mund të vendosim një punonjës shëndetësor pranë secilit pacient. Çdo ditë ka psikologë, mjekë dhe infermierë që i vëzhgojnë pacientët tanë”, ka thënë ai.
Facebook Forum