Ndërlidhjet

Veteranët e UÇK-së dhe Qeveria pa darkordim për ngritjen e pensioneve


Protesta e veteranëve para Kuvendit të Kosovës më 16 qershor 2022.
Protesta e veteranëve para Kuvendit të Kosovës më 16 qershor 2022.

Përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) dhe Qeveria e Kosovës nuk janë darkorduar lidhur me pensionet për veteranët.

Përfaqësuesit e OVL UÇK-së u takuan të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

“Me kryeministrin nuk u darkorduam pasi ne kërkuam që të kthehet pika 3.1, që kjo Qeveri me Kuvendin e Kosovës e kanë ndryshuar, që me atë pikë e kanë larguar benificionin e veteranit të luftës që është me ligj që nuk mund të jetë më pak se paga minimale”, tha pas takimit, Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL të UÇK-së.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, përmes një deklarate tha në këtë takim është diskutuar edhe për çështjen e pastrimit të listave të veteranëve.

"U ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së", u tha në njoftim.

Kuvendi i Kosovës më 14 qershor ka miratuar në parim projektligjin për rritjen e pagës minimale në 250 euro neto.

Por, në pikën 3.1 thuhet se për pensionet e veteranëve – që aktualisht kapin vlerën e 170 eurove – deri në kategorizimin e listës përfundimtare të veteranëve, Qeveria do të vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve.

Shoqatat e veteranëve kanë organizuar dy protestat deri më tani, duke kërkuar që pensionet e tyre të jenë në lartësinë e njëjtë me atë të pagës minimale.

Protesta e 16 qershorit të veteranëve, të mbajtur para Kuvendit të Kosovës, u mbështet edhe nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që pamundësuan vazhdimin e seancës plenare ku ishte paraparë të diskutohej për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Klinku tha se Kurti u ka thënë se do t’iu ofrojë disa propozime me shkrim veteranëve.

Ai tregoi se kryeministri argumenton se pensionet e veteranëve nuk janë rritur duke u thirrur në numrin e madh të listës së veteranëve.

Në Kosovë, aktualisht është në proces gjyqësori rasti i njohur si “Veternët”, rast në të cilin dyshohet se mbi 19,000 persona kanë fituar në mënyrë të paligjshme statusin e veteranëve.

Klinaku tha se “fryrja e listës së veteranëve” nuk është çështje që i takon Kurtit, “por është çështje e gjykatës dhe duhet pritur procesi gjyqësor qoftë për verifikim, qoftë edhe për kategorizim”, duke paralajmëruar se do të mbajnë protesta derisa Qeveria të rikthejë pikën 3.1 të projektligjit për pagën minimale.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG