Ndërlidhjet

Vera kulturore, veçohet “Sunny Hill” me këngëtaren Dua Lipa në Prishtinë


Organizimi i aktiviteteve kulturore gjatë stinës së verës mbetet një nga synimet e autoriteteve lokale në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Përmes organizimeve të ndryshme synohet që ditët e nxehta verore, sadopak të jenë atraktive për qytetarët e këtushëm si dhe për diasporën e cila gjatë kësaj stine kryesisht ia mësyn Kosovës.

Festivali “Sunny Hill” dhe performaca e pop yllit botëror, Dua Lipa, veçohet nga shumë aktivitete tjera që priten.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, tha se aktivitetet tashmë kanë nisur dhe do të vazhdojnë deri në fund të stinës së verës.

“Mendoj se këto aktivitete janë të rëndësishme edhe për diasporën. Këto ditë është duke ndodhur java e arkitekturës në Prishtinë, e cila sjell arkitektë nga e gjithë bota dhe bëjnë plane të ndryshme për Prishtinës. Ato ndodhin në pika të ndryshme të vendit përfshirë edhe bibliotekën kombëtare dhe kjo krijon një ambient dhe shpërndarje të informative për turistë".

“Gjithashtu është ekspozita e Sisley Xhafës me karrierë të mirë ndërkombëtare, dhe ne kemi mbështetur këtë projekt. Një organizim që do të ndodhë këtë vit është edhe festivali ‘’Sunny Hill’’, i cili sjell në Kosovë emra të njohur botëror siç është edhe pop këngëtarja, Dua Lipa. Në muajin gusht së bashku me Ministrinë e Diasporës jemi duke organizuar diçka në Prishtinë enkas për bashkatdhetarë”, tha Rugova.

Por, qytetarët mendojnë se në Prishtinë nuk ka organizim tradicional në një datë të caktuar.

Linda Berisha 25 vjeçare, ekonomiste me profesion, tha se është aktiviteti Prishtina Lexon, që organizohet nga Komuna e Prishtinës e që për momentin po i kujtohet si ngjarje, derisa potencon faktin se mungojnë aktivitete të mirëfillta.

“Ka deri diku aktivitete, por mendoj se Prishtinës i mungojnë aktivitete vjetore, që mbahen çdo vit. Përveç Prishtina lexon, nuk e di që ka diçka tradicionale që ne ta presim si ngjarje për sezonin e verës. Përndryshe kur dal me fëmijë në sheshin e Prishtinës shpesh shoh aktivitete, por që rastisi në to edhe kënaqem në pjesëmarrje”, tha Berisha.

Por, Yll Rugova thotë se ka aktivitete tradicionale vjetore që Komuna i organizon, ndonëse edhe ai përmend vetëm atë ‘Prishtina Lexon’.

“Janë edhe ngjarjet tradicionale që ndodhin çdo vit, si Prishtina lexon etj. Gjithashtu dua ta potencoj që kemi bërë hapjen e “kino armatës” dhe ka program të rregullt çdo ditë e që po ndodh për herë të parë në Komunën e Prishtinës”, tha Rugova.

Në anën tjetër drejtoresha e Kinemasë “ABC”, Miradije Vllahiu, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë sezonit të verës, por edhe gjatë tërë vitit kinemaja ofron të gjitha zhanret e filmave për publikun duke ofruar për ta llojllojshmëri, përfshi edhe shfaqjen e filmat premierë sikur në gjitha vendet e botës.

“Sezoni veror sikur çdo vit ofron filma që i takojnë zhanreve të ndryshme që të plotësohen nevojat e qytetarëve por edhe bashkatdhetarëve që vijnë në pushime. Aktualisht jemi duke i shfaqur katër filma që i kemi në repertor dhe së shpejti do të kemi edhe disa filma të ri me figura dhe personazhe të njohur për fëmijë dhe familje”, tha Vllahiu.

Megjithatë, zonja Vllahiu thotë se interesimi i publikut për kinemanë nuk është në nivel të kënaqshëm.

‘’Nëse flasim për interesimin e publikut jemi duke u përballur me numër të vogël të interesimit. Ne jemi këtu që të prezantojmë gjitha vlerat kinematografike dhe publikut i mbetet që të vlerësojë nëse e dojnë ose jo kinemanë’’, shtoi tutje Vllahiu.

Sidoqoftë tashmë është potencuar fakti se mënyra e të jetuarit te të rinjtë në përgjithësi, ka bërë që ata të orientohen më shumë kah rrjetet sociale, sesa kah aktivitet kulturore, rekreative, që ofron komuna.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG